Ballina Aktualitet Investimi 1.5 miliardë euro i TAP në Shqipëri drejt fundit, çfarë do...

Investimi 1.5 miliardë euro i TAP në Shqipëri drejt fundit, çfarë do të ndodhë tani

Janë rreth 1.5 miliardë euro të investuara nga gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP) në Shqipëri, duke e bërë atë investitorin më të madh në vend deri tani.

Por, ky projekt po shkon tashmë drejt fundit, teksa 80% e projektit ka përfunduar. Agim Fjolla – Këshilltar për Komunikimet në TAP Shqipëri, shpjegon në një intervistë për “Monitor” se sa pritet të jetë ndikimi i TAP në të ardhmen dhe sa do të arrijë të përfitojë Shqipëria nga shansi i madh i gazit që do të kalojë në territorin e saj.

Sa ka qenë deri tani shuma që TAP ka investuar në Shqipëri?

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një nga investimet e huaja më të rëndësishme në Shqipëri, jo vetëm për vlerën e investimit, por edhe për rëndësinë strategjike që i jep vendit, në kuadër të rrjetit energjetik europian. Vetë investimi i Gazsjellësit Trans Adriatik në Shqipëri është disaplanesh dhe shkon përtej ndërtimit të një infrastrukture që do të transportojë gaz nga Azerbajxhani në Europë.

TAP ka investuar në përmirësimin e një rrjeti të gjerë rrugësh, rreth 120 km, kryesisht në Korçë, Skrapar, Berat dhe Fier. Pavarësisht se investimi në infrastrukturën rrugore është në dobi të ndërtimit të gazsjellësit, këto rrugë u vijnë në ndihmë komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Janë rreth 200’000 banorë që kanë përfituar rrugë më të mira dhe më të sigurta për t’u lidhur mes tyre apo me qytetet e mëdha. Dhe ky është një ndikim ekonomik jo i vogël në ekonomitë e fshatrave.

Ndërsa investimi për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit TAP në Shqipëri përllogaritet në rreth 1.5 miliardë euro. Këtu përfshihen të gjitha kostot që nga tubat, ndërtimi i stacionit të kompresorëve, atij të matjes, valvulat e bllokimit, pajisjet, makineritë dhe çdo gjë tjetër për ndërtimin e gazsjellësit.

Një tjetër element i rëndësishëm për TAP është programi i investimeve sociale dhe mjedisore, që kanë si qëllim përmirësimin e jetesës së komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Janë 14 milionë euro investime, që e bëjnë TAP një ndër shoqëritë me buxhetin më të madh në dobi të komunitetit. Deri më tani, më shumë se 20 projekte nga investimet sociale dhe mjedisore janë realizuar në Shqipëri si rikonstruksioni i disa shkollave, kopshteve, ujësjellësve, ndërtimi i infrastrukturave për turistët, dhurime stolash dhe pemësh, mobilime bibliotekash, hapja e një muzeu të ri, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, etj.

LEXO EDHE:  ZYRTARE/ Hidhet shorti për Ligën e Kombeve, ja kundërshtarët e Shqipërisë dhe Kosovës

Ndërkohë janë edhe shumë projekte të tjera në fazë zbatimi dhe të tjera në vlerësim. Kjo paketë investimesh realizohet, duke u këshilluar dhe duke bashkëpunuar me Bashkitë, Qeverinë Qendrore dhe vetë komunitetet.
Për më tepër, TAP po u vjen në ndihmë fermerëve të ndikuar nga ndërtimi i gazsjellësit, nëpërmjet një programi të veçantë që quhet “Asistenca për Jetesën dhe Mbështetja Tranzitore” (AJMT). Krahas kompensimit me vlerën e plotë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, TAP, nëpërmjet AJMT, synon të rehabilitojë jetesën e të gjithë personave të ndikuar nga projekti dhe, aty ku është e mundur, ta përmirësojë atë. TAP do t’u shpërndajë fermerëve rreth 70,000 fidanë dhe 222 tonë pleh kimik.

A keni ndonjë vlerësim se cili ka qenë efekti i TAP në ekonominë shqiptare?

Në raportet mbi rritjen e ekonomisë shqiptare për vitet 2017 dhe 2018, të bëra nga institucione të ndryshme financiare, konstatohet se rritja prej më shumë se 3% në vit i atribuohet edhe investimeve të bëra në kuadër të projektit TAP. Nga një studim i kryer së fundmi nga një organizatë jofitimprurëse, “Institute for Sustainable Development, Environment and Tourism”, rezulton se për periudhën 2015-2020, efekti i drejtpërdrejtë i projektit TAP në ekonominë shqiptare përllogaritet të jetë rreth 589 milionë euro, ndërkohë që efekti në konsumin final përllogaritet rreth 914 milionë euro. I njëjti studim na tregon se ndikimet jo të drejtpërdrejta të projektit, për të njëjtën periudhë, janë edhe më të mëdha, rreth 1,891 milionë euro.

Për periudhat e mëvonshme, gjatë fazës së operimit të gazsjellësit, ndikimet e drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta të TAP në ekonominë shqiptare nuk pritet që të jenë në të njëjtat nivele me atë të periudhës së ndërtimit. Por, edhe gjatë fazës së operimit, TAP do të vijojë të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare.

Sa për qind e punimeve kanë përfunduar dhe cila është shuma e mbetur që pritet të investohet deri në fund të projektit?

Viti 2017 dhe viti 2018 kanë qenë shumë të rëndësishëm për sa i përket intensitetit të ndërtimit të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Sot, rreth 80% e punimeve totale për ndërtimin e segmentit tokësor të TAP në Shqipëri është i përfunduar. Në muajt në vazhdim, ndërtimi do të fokusohet te segmenti më i vështirë i të gjithë gazsjellësit, në malin e Ostrovicës, në rreth 2100 metra mbi nivelin e detit. Këtu ndodhet edhe pika më e lartë e të gjithë gazsjellësit TAP nga kufiri turko-grek e deri në Itali.

LEXO EDHE:  Miniera e dytë më e madhe e kromit në Shqipëri, ja cila kompani shpallet fituese

Duke lëvizur nga pika më e lartë te pika më e ulët, në shtator pritet të fillojnë punimet parapërgatitëse për pikën e daljes së tubacionit në det e për të vijuar më tej punimet për segmentin detar nga anija. Duke i shtuar asaj që përmenda më sipër edhe kthimin e gjithë tokës në gjendjen e mëparshme dhe dorëzimin e saj te pronarët, përfundimin e punimeve për stacionin e kompresorit dhe stacionin e matjes, si dhe testimin e tubacionit, këto përfaqësojnë sfidat kryesore të ndërtimit të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Këtu do të kanalizohen edhe investimet e TAP për periudhën në vijim.

SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG Transadriatica renditen ndër kompanitë më të mëdha në vend. Cili është aktiviteti kryesor i tyre dhe deri kur do të vazhdojnë?

Spiecapag është një ndër kontraktorët më të rëndësishëm të TAP të cilit i është besuar ndërtimi i segmentit tokësor të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Kjo do të thotë ofrimin e inxhinierisë, prokurimit dhe vetë ndërtimit të 215 km.
Aktualisht, Spiecapag ka rreth 2700 të punësuar në Shqipëri dhe ne e vlerësojmë shumë investimin e kësaj shoqërie për trajnimin e profesionistëve shqiptarë që, në të ardhmen, do të kenë mundësinë të punojnë në projekte të ngjashme, jo vetëm në Shqipëri.
Aktiviteti i Spiecapag në lidhje me gazsjellësin TAP do të vazhdojë deri në përfundimin e ndërtimit dhe testimit të tubacionit.

Cilat janë kompanitë shqiptare që kanë punuar me TAP dhe si ka ndikuar kjo në aktivitetin e tyre?

TAP, që në fillimet e aktivitetit në Shqipëri, ka qenë i hapur për bashkëpunim me shoqëritë shqiptare. Në pozicionin e kontraktorit të drejtpërdrejtë apo të nënkontraktuara, për ndërtimin e TAP në Shqipëri janë përfshirë më shumë se 35 shoqëri shqiptare. Shoqëritë shqiptare po tregojnë se e kanë të mundur të zbatojnë standardet më të larta ndërkombëtare që ndjek TAP.

Përvoja e fituar prej tyre, duke i ofruar shërbime TAP, përveçse i ndihmon në kuptimin dhe zbatimin e standardeve që kërkon një projekt i këtyre përmasave, i jep edhe një shtysë që të dalin e të konkurrojnë për projekte të tjera përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë. Me ekspertizën e fituar dhe me një projekt si TAP në CV e tyre, pse të mos tentonin për më shumë? Pra, përveç përfitimeve ekonomike apo rritjes së numrit të punonjësve, përvoja është një përfitim shumë i rëndësishëm për shoqëritë shqiptare që po ndihmojnë në ndërtimin e TAP.

LEXO EDHE:  Keni blerë një makinë jashtë dhe do e fusni në Shqipëri? Nga sot e keni "pisk" punën në Doganë

Më poshtë është një listë e thuajse të gjitha shoqërive shqiptare që po ndihmojnë në ndërtimin e TAP në Shqipëri: Abcons, McCann, AlbStar, Diamant Logistics, Startrans, Sterkaj, Albarent, Vagalat, Gjoka, Doko, Altea Geostudio 2000, AMOS Oil, Angerba, Artyka II, Defex, Delia Group, ECCAT, EL-BU 2009, ERA Rescue, Ferra Construction, Flenarb, GEO-Bruna, Geosat Group, Gllavica, GR Albania, I.XH.E.M, Idea Communication, Kastrati, Kuel, MRDC Foundation, Nazeri 2000, Pelikani Security, Salillari, Europa sh.p.k., Rogat, Avis, Odisea, ARB-Security, etj..

Pas përfundimit të TAP, cila do të jetë marrëdhënia që do të ketë Shqipëria me gazsjellësin?

Përfundimi i punimeve për ndërtimin e TAP shënon edhe fillimin e një faze të re për sektorin e energjisë në Shqipëri ku, përveç diversifikimit të burimeve energjetike, do të ketë edhe zhvillime në infrastrukturën e brendshme. TAP përbën një mundësi reale për gazifikimin e ekonomisë shqiptare duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji për vendin. Gazsjellësi TAP pritet që të ketë ndikim pozitiv edhe në zhvillimin e infrastrukturës rajonale të gazit natyror. Një numër projektesh të tjera si ai i IAP (Ionian Adriatic Pipeline) apo lidhja Shqipëri-Kosovë pritet që të zhvillohen në të ardhmen e afërt duke i dhënë Shqipërisë rol të rëndësishëm në rajon.

Me fillimin e operimit të gazsjellësit TAP, qeveria shqiptare dhe TAP AG kanë rënë dakord që mirëmbajtja e aseteve të bëhet nga shoqëria publike e gazit, Albgaz. Kjo shoqëri ka hyrë në një marrëveshje bashkëpunimi me një partner strategjik (Snam Rete) që do të sigurojë edhe njohuritë teknike për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Pas përfundimit

TAP përbën një mundësi reale për gazifikimin e ekonomisë shqiptare duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji për vendin. Gazsjellësi TAP pritet që të ketë ndikim pozitiv edhe në zhvillimin e infrastrukturës rajonale të gazit natyror. Një numër projektesh të tjera si ai i IAP (Ionian Adriatic Pipeline) apo lidhja Shqipëri-Kosovë pritet që të zhvillohen në të ardhmen e afërt duke i dhënë Shqipërisë rol të rëndësishëm në rajon./monitor/