Ballina Ekonomi Shqipëria në krizë, qytetarët ulin shpenzimet edhe për tu ushqyer

Shqipëria në krizë, qytetarët ulin shpenzimet edhe për tu ushqyer

Në tremujorin e dytë te 2018, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit me 2,4 %, por kjo rritje erdhi më së shumti nga konsumi i karburanteve, teksa shihet se konsumi i ushqimeve ka pësuar rritje të dobët.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 1,2 %, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.

Në grupin ‘Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara’, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 1,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Një vit me parë në të njëjtën periudhë rritja e shitjeve në këtë grup ishte 2.7%.

Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin ‘Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara’, është rritur 1,4 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në grupin ‘Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara’, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 5,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017.

Ndryshimi vjetor indeksi i volumit të shitjeve, në tregtinë me pakicë në tremujorin e dytë 2018 është +2,4 %. Grupet të cilat kanë ndikuar janë: grupi ‘Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara’ +0,3 pikë përqindje, grupi ‘Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara’ +0,6 pikë përqindje dhe grupi ‘Tregti me pakicë e Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara’ +1,5 pikë përqindje.

Në tremujorin e dytë 2018, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin ‘Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara’, është rritur me 3,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018.

LEXO EDHE:  FOTO/ Protestues të përlyer në gjak, situata po fillon të bëhet e rrezikshme para Kuvendit

Në grupin ‘Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara’, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht, është rritur me 5,3 % krahasuar me tremujorin paraardhës. indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht në tregtinë me pakicë, për grupin ‘Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara’, është rritur 1,2 % kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin ‘Tregti me pakicë hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara’, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht është rritur 2,3 %, kundrejt tremujorit të parë 2018.

/Monitor.al