Ballina Ekonomi SKANDALI/ Mashtrimet me paketat bazë, ja si po i rrjep konsumatorët “Vodafone...

SKANDALI/ Mashtrimet me paketat bazë, ja si po i rrjep konsumatorët “Vodafone Albania” (Dokumenti)

SHPËRNDAJE

Kompania celulare “Vodafone Albania” është vënë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës pas një ankese nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”.

“DuaLajm.com” mëson se shkak i këtij hetimi është se “Vodafone Albania” ka hequr nga paketat bazë të ofruara, shërbimin e internetit “Pa limit” duke ulur ndjeshëm ofertën e pretenduar në paketat e hedhura në treg, ç’ka dukshëm detyron konsumatorët të paguajnë për një shërbim që realisht nuk e përfitojnë.

Referuar një shkrese të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare të siguruar nga “DuaLajm.com” raportohet se “Vodafone Albania” brenda një jave mes ditëve të fundit të marsit dhe ditëve të para të prillit 2017, ka unifikuar ofertat me kompanitë e tjera për të gjitha paketat e komunikimit me parapagesë.

Në bazë të këtij vendimi në të gjitha paketat e ofruara nga “Vodafone Albania” është synuar ulja e njëhershme e sasisë së internetit të ofruar, dukshëm me synimin për të detyruar konsumatorët të blejnë GB ekstra përveç paketës.

“DuaLajm.com”, referuar të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), raporton se brenda një periudhe njëjavore nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit, “Vodafone Albania” ka ulur volumin e internetit të përfshirë në paketat bazë duke filluar nga “Pa limit” deri në vetëm 0.5 GB. Kjo ulje e volumit të internetit ka ndodhur në të gjitha të ashtëquajturat “oferta”.

Këtu qëndron edhe skandali. Ky vendim automatikisht çon në një rritje të kostos për të gjithë konsumatorët e “Vodafone Albania” sepse trafiku i internetit që të ishte premtuar “Pa limit” do detyrohesh ta blesh, pra do të tarifohesh ekstra edhe pse më parë ti e ke paguar ofertën “Pa limit” si pjesë të paketës.

Vlera shtesë për të cilën bëhet fjalë luhatet nga 200 deri në 500 lekë për 1 apo disa GB që konsumatorët tashmë të zhgënjyer po detyrohen të blejnë shtesë.

Faksimile e shkresës së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare

Konkretisht “Vodafone Albania” për të katërta paketat e saj “Club Basic”, “Club Superior”, “Club Extra” dhe “Club Elite” ka ulur ofertën për internet, respektivisht nga 3 GB në 0.5 GB në muaj (Club Basic), nga “Pa limit” në 2GB (Club Superior), nga “Pa limit” në 4GB (Club Extra) dhe nga “Pa limit” në 6GB (Club Elite). Për këtë shkak kostoja shtesë e internetit që duhet të blesh çon automatikish në rritje të tarifës për konsumatorët në një masë të konsiderueshme. Pasi në “Vodafone Albania”, blerja e 2 GB kushtojnë 300 lekë.

“DuaLajm.com” raporton se abuzimi në kurriz të klientit qëndron në faktin se “Vodafone Albania” edhe pse ka një ofertë, marrim si shembull “Club Superior”, ku ndonëse ka ulur çmimin nga 1200 lekë në 1100 lekë, ka reduktuar njëkohësisht edhe sasinë e internetit që më herët e ofronte “Pa limit” ndërsa tani e ka vendosur 2 GB.

Pra nëse një konsumator i harxhon 2 GB e kësaj pakte dhe do kërkojë më shumë internet se sa kaq, atëherë ai është i detyruar të paguajë 300 lekë shtesë në të njëjtën kohë që ka përfituar vetëm 100 lekë ulje nga blerja e paketës.

Një tjetër vendim i “Vodafone Albania” në kurriz të konsumatorëve është fakti që kjo kompani ka vendosur ta masë muajin sipas standardit të saj, me 28 ditë dhe jo me 30 apo 31 ditë, përjashto Shkurtin. Me këtë vendim, “Vodafone Albania” e ka kthyer vitin nga 12 me 13 muaj e kjo për shkak se ofertat mujore i ka bërë 28 ditëshe. Por falë këtij ndryshimi, logjika çon në faktin se edhe përmes minimizimit të volumit të internetit në paketat e zakonshme, “Vodafone Albania” nuk ka bërë gjë tjetër vecse ka rritur çmimet më tepër, të paktën se sa viti i kaluar. Sipas ekspertëve vetëm me reduktimin e sasisë së internetit kjo kompani celulare efektivisht i ka shtrenjtuar kostot për konsumatorët deri në 40% se më parë, lekë që dalin ekstra nga xhepi i çdo qytetari që ka një numër 069*******

“DuaLajm.com” raporton se edhe më herët “Vodafone Albania” është shpallur fajtore për abuzim me pozitën në tregun e konsumatorëve shqiptarë që realisht kategorizohet si ndër më të varfërit në Europë. Me interes pritet se cili do të jetë kësaj here vendimi i Autoritetit të Konkurrencës, por fakt është se tashmë përdoruesit e “Vodafone Albania” duhet të ndihen të vjedhur e të mashtruar.

Comments

comments