Ballina Ekonomi Vendimi i fundit i qeverisë: Punëdhënësit tani do t’ju paguajnë drekën, ja...

Vendimi i fundit i qeverisë: Punëdhënësit tani do t’ju paguajnë drekën, ja sa do të jetë shuma

Në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar sot vendimin i cili përcakton se punëdhënësit në rast se nuk mund të sigurojnë lokal për ngrënie, duhet t’i shpërblejnë punëmarrësit për ushqimin që konsumohet gjatë pushimit në ndërmarrje. 

Nëse punën e filloni në orën 8:00 ose 9:00 në mëngjes dhe orari i drekës ju gjen në punë, në orën tuaj të pushimit ose do shkoni të hani në menxë ose punëdhënësi do të duhet të paguajë drekën tuaj.

Në bazë të “Kodit të Punës” qeveria ka përcaktuar shumën 300 lekë deri në 500 lekë. 300 lekë për një vakt, në 500 lekë kur punonjësit rri më gjatë në punë. 

Vendimi përcakton që vlera, mënyrat dhe kriteret e dhënies së pagës në natyrë do të jenë, si më poshtë vijon:

a) Kufiri i vlerës së shpërblimit në formën e pagës në natyrë do të jetë deri në masën 300 (treqind) lekë për një vakt dhe deri në masën 500 (pesëqind) lekë kur trajtohet me më shumë se një vakt për ditë pune;

b) Në kontratën kolektive apo individuale të punës, palët mund të përcaktojnë edhe trajtime të tjera si dhe ndryshimin e kufijve të pagës në natyrë, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit;

c) Shpërblimi në formën e pagës në natyrë mund të jepet në trajtim ushqimor, kupon dhe mall. Në raste të veçanta, kur nuk ekzistojnë mundësitë për dhënien e shpërblimit në asnjë nga këto forma, punonjësit i jepet shpërblimi në para dhe ky shpërblim, për efekte fiskale, trajtohet si paga;

ç) Masa e shpërblimit në formën e pagës në natyrë përcaktohet në kontratën kolektive apo individuale të punës. Në rastet kur paga në natyrë zbritet nga paga e punonjësit, atëherë shuma e këtij shpërblimi për të gjithë muajin nuk mund të kalojë 20 % (njëzet) për qind të pagës mujore.

LEXO EDHE:  Urimi i Sali Berishës për mësuesit: Gëzuar 7 marsin, iu shprehim mirënjohjen më të thellë

Punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë strehim punëmarrësit, në kushtet kur ky i fundit nuk ka mundësi të kthehet në vendbanimin e tij për shkak të largësisë së vendit të punës me qendrën e vendbanimit.

Për efekt të llogaritjes së pagës për rastin e pushimeve vjetore, shpërblimi që i përgjigjet pjesës së pagës së përfituar në natyrë përllogaritet si raport i ditëve të punës, gjatë të cilave punëmarrësi ka përfituar pagë në natyrë me numrin e përgjithshëm të ditëve gjatë të cilave ka punuar, shumëzuar me ditët e punës që përfshihen në periudhën e pushimeve vjetore dhe pagën ditore në natyrë, të përcaktuara në kontratën kolektive apo individuale të punës.

Vendimi nr. 139, datë 14. 03. 2007, i Këshillit të Ministrave, “Për kufijtë e përcaktimit të pagës në natyrë dhe kriteret e përllogaritjes së shpërblimit, që i shtohet pagës për leje vjetore”, shfuqizohet. /Monitor

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook