Kryeministri, Edi Rama dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano zhvilluan dje për rreth 2 orë një takim kokë më kokë në ambientet e vilës qeveritare në Durrës.

Në përfundim të takimit, Nano reagoi për mediat me një batutë të shkurtër “nuk është çeshtje timoni, por destinacioni. Nuk keni parë gjë akoma”.

Ndërsa nga ana tjetër Rama, gjatë një bashkëbisedimi që pati sot me sipërmarrës në Golem, Rama tha se Nano pati shumë të drejtë kur u shpreh dje se situata aktuale politike “nuk është çështje timoni, por destinacioni”.

“Fatosi pati të drejtë mbrëmë kur tha se nuk është çeshtje timoni, por destinacioni. Ai është dhe shofer i sprovuar, i ka të gjithë ingredientët e nevojshëm të ekspriencës dhe teknikës së dhënies së makinës, për të kuptuar se ky nuk është qëllim në vetvete”, u shpreh Rama.

Kaq ishte ajo çfarë thanë dy protagonistët e takimit që trazoi jo pak jetën politike në vend.

Por “DuaLajm.com” ka mësuar ekskluzivisht detaje mjaft interesante nga ky takim që duket se është thirrur në funksion të një qëllimi: eliminimin politik të Ilir Metës.

Burime shumë pranë liderit historik të PS-së, Fatos Nano konfirmojnë për “DuaLajm.com” se takimin në Durrës e ka kërkuar vetë kryeministri Rama.

Mësohet se oferta që Rama i ka bërë Nanos ka qenë mbështetja në fushatën elektorale në kushtet kur tensionet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë në kulmin e tyre.

“DuaLajm.com” raporton se gjatë takimit dy orësh në vilën qeveritare të Durrësit, Rama duke u ndalur tek marrëveshja e arritur mes tij dhe Bashës i ka përmendur Nanos faktin që pas zgjedhjeve të 25 qershorit palët kanë rënë dakord për ndryshime kushtetuese.

Dhe siç konfirmojnë burimet pranë ish-kryeministrit Nano, oferta ka qenë e qartë: “Jam gati t’i propozoj Lulzim Bashës të ndryshojmë Kushtetutën për zgjedhjen e Presidentit nga populli, meqë kjo ka qenë edhe një kërkesë e tij. Dhe për dy vjet ti të jesh në krye të shtetit”.

Ende nuk dihet se cila ka qenë përgjigjia e Nanos por burimet nuk saktësojnë as faktin se si do realizohet nga ana tjetër ndërprerja e mandatit legjitim 5-vjeçar në krye të shtetit të Ilir Metës. Një përgjigjie nga pikëpamja ligjore e kushtetuese duket se Nano e ka marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi me të cilin vijoi takimin në një nga restorantet e Durrësi fill pas bisedës që pati me Ramën.

Këtu skenari hyn në rrugën e panjohur dhe ngre pikëpyetje të shumta rreth planit që po thurr Rama për të “eliminuar” Ilir Metën nga skena politike.

Kujtojmë se dhe marrëveshja mes tij dhe Bashës ka patur pikërisht qëllimin për t’i dhënë një goditje LSI-së në zgjedhje duke qenë se palët kanë vendosur të garojnë më vetë, duke iu hequr mundësinë subjekteve të hyjnë në koalicione paraelektorale. Në ndihmë për këtë, Ramës i ka ardhur edhe Basha që gjithashtu ndjen si rrezik për PD-në, rolin gjithnjë e në rritje të LSI-së.

Fakti që fill pas takimit Nano preferoi të reagojë me shprehjen e Ramës “nuk keni parë asgjë akoma”, tregon se në parim ai e ka pranuar ofertën e kryeministrit.

Dy janë detajet që mund të kuptohen nga ky reagim i Nanos. Fakti që ai përmend “timonin” dhe “destinacionin” duket se ka ndërmend të angazhohet në fushatë indirekt ose direkt për të mbështetur PS-në. Dhe për më tepër që i referohet një shprehje të Ramës duket se ka zgjedhur të mbështetë këtë të fundit në “betejën” me Metën për të përfituar në këmbim postin e Presidentit të Republikës, që e lakmon prej vitit 2002.