[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1424″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”0″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]

Metropoli kanadez u trondit pas aktit krejtësisht të çmendur të 25-vjeçarit, Alek Minassian, i cili u fut me furgon mes turmës së njerëzve, duke lënë të vdekur 10 persona dhe 13 të plagosur.

Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën  “Champs-Élysée”-në e Torontos, 5444 Young Street. Rruga më e famshme, që ndan pjesën Lindore nga ajo Perëndimore e qytetit.

Tmerr dhe kaos, këto janë dy fjalët që përshkruajnë panoramën e ngjarjes, e cila u cilësua si një nga sulmet më të dhunshme të dekadave të fundit në Kanada.

Mediat kanadeze kanë raportuar emrin e një shqiptari, të cilin madje e kanë konsideruar si hero, që punon në kryqëzimin Young dhe Finch, ku nisi tragjedia.

Ai është Bes Kondi, menaxher pranë Kompanisë DEL Propery Management.

Z.Kondi u intervistua ekskluzivisht nga “DuaLajm.com”, ku foli mbi ngjarjen tragjike dhe si e përjetoi sulmin e tmerrshëm që terrorizoi metropolin kanadez.

I pyetur nga “DuaLajm.com”, z.Kondi shprehet se u njoftua nga roja i sigurisë së kompanisë ku punon, dhe menjëherë pa u menduar dy herë shkoi në ndihmë, rreth orës 13:30 me orën lokale.

Z. Kondi mund të na rrëfeni momentet e para të tragjedisë në Toronto dhe kaosin që patë?
Dola menjëherë jashtë, dhe pashë që rrugët përreth ishin mbushur plot me njerëz të shokuar e tmerruar. Kur u afrova më pranë pashë që rrugët ishin lyer me gjak dhe disa njerëz ishin shtrirë për tokë.

Ju si u ndodhët aty?
Në momentin që ndodhi ngjarja, isha në zyrën time ku punoj si Property Manager, pranë vendit ku ndodhi sulmi. U njoftova nga roja i sigurisë dhe dola menjëherë jashtë të ofroja ndihmën time, pasi kam disa specializime për ndërhyrje në situata të tilla.

LEXO EDHE:  Shqiptari arratiset në mënyrë spektakolare nga burgu, ngre në këmbë Aeroportin e Hamburgut

Kur e kuptuat se çfarë kishte ndodhur?
Në fillim nuk po kuptoja se çfarë kishte ndodhur Më pas erdhën forca të shumta policie dhe disa makina ambulance. Aty më informoi një efektiv policie për atë që kishte ndodhur.

Cilat ishin dëshmitë e para të të plagosurve? A mundët të flisnit me ta
Kur iu afrova njërit prej të aksidentuarve së bashku me efektivin e policisë, ai po merrte frymë me vështirësi. Kishte thyer disa brinjë. I plagosuri ishte në gjendje shoku, rënkonte dhe pyeste vazhdimisht “çfarë ka ndodhur, çfarë ka ndodhur”. Mbaj mend që i thashë policit që ishte me mua: Ndihmo ndonjë të aksidentuar tjetër, se merrem unë me të. 

Arritët ta shihnit agresorin?
Jo, nuk munda ta shihja, pasi në momentin që mbërrita ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Mediat kanadeze ju kanë cilësuar me të drejtë si një hero. Si ndiheni?
Ajo që bëra, ishte një detyrë qytetare. Për mua heronj ishin të gjithë ata policë dhe zjarrfikës që ndërhynë në një kohë rekord, duke i dhënë ndihmë të plagosurvee duke stabilizuar situatën kaotike që u krijua nga sulmi.

Si e keni përjetuar personalisht këtë ngjarje?
Në fillim nuk po e konceptoja dot se si mund të ndodhte një sulm i tillë në metropolin e Kanadasë. Ishte e tmerrshme dhe e papritur! Askush nuk mund ta besonte atë që ndodhi. Kam pasur mjaft eksperienca në jetë, por nuk jam përballur ndonjëherë me një ngjarje të përmasave të tilla. Doja të ofroja ndihmën time dhe për të plagosurit e tjerë përreth, por ndërhyrja e shpejtë e policisë fatmirësisht bëri të mundur normalizimin e situatës.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook