Të paktë ishin ata që besonin te fitorja e Ajax në fushën e Realit të Madridit. Atëherë në 1/8 e Champions, skuadra holandeze hodhi poshtë të gjitha pritshmëritë dhe të njëjtën gjë kërkon të përsërisë edhe kundër Juventusit. Mbi të gjithë, në këtë mision beson trajneri Erik Ten Hag, që paralajmëron Juventusin në prag të përballjes në çerekfinalet e Champions.

“Përpara një jave në Amstërdam treguam se dimë të luajmë. Duhet të përsëritemi për të shkuar akoma më larg. Nëse luajmë mirë, mund t’ia dalim. Jam plot besim, pasi unë e di si stërvitemi dhe si luajmë. Kemi treguar se dimë të tejkalojmë veten”, ka thënë Ten Hag. Tekniku nuk është i shqetësuar për gjëndjen e Frenki De Jong që në fundjavë u largua nga fusha i dëmtuar. Mesfushori është rikuperuar dhe sipas Ten Hag, i takon vetë lojtarit të vendosë nëse do të luajë apo jo nga minuta e parë.