Të akuzuar për shpërdorim detyre, dy punonjës të Policisë Kufitare kanë rënë në pranga.

Aksioni u krye nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër goditën një tjetër rast të shpërdorimit të detyrës.

Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të dokumentohej se ky aktivitet bëhej nga 2 efektivët e Policisë Kufitare Luan Xheka, me detyrë ndihmës kontrollor PKKK Muriqan dhe Bardhok Preçi, Përgjegjës Turni, në Stacionin e Policisë Kufitare në Shëngjin.

Gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Hetimet kanë dokumentuar se kundrejt pagesave që shkonin deri në 100 euro, këta punonjës policie duke shpërdoruar detyrën, lejonin kalimin në pikën kufitare të shtetasve shqiptarë që u ishte ndaluar udhëtimi në zonën Shengen, si dhe regjistronin e vulosnin fiktivisht pasaportat e shtetasve të ndryshëm për të evituar shkeljen e afatit të qëndrimit në zonën Shengen.

“SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast paligjshmërie të konstatuar apo korrupsioni, ku janë të implikuar punonjës të Policisë, në numrin falas 0800 90 90 ose të shkruajnë në adresën [email protected]”, thuhet në njoftimin e SHCBA.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook