Pas pesë vjetësh hetime, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë mundur që të identifikojnë organizatorët dhe financuesit e një grupi të strukturuar kriminal, që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë.

Në pranga kanë rënë dy persona, që janë kokat e grupit, si edhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Të arrestuarit janë: Autor Deda, 38 vjeç, banues në Lezhë, i cili njihej edhe me emrin Autor Lesaj; Dodë Prela, 53 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Lezhë. Gjithashtu, Policia tha dje se janë shpallur në kërkim edhe dy shtetasit: R.M. 41 vjeç, banues në Kurbin dhe G.K. 47 vjeç, banues në Lezhë.

Për këta shtetas ka pasur një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka dhënë masën e “arrestit me burg” më 17 janar të këtij viti. Policia thotë se hetimet disavjeçare për grupin ishin shtrirë në Shqipëri dhe në Itali. Edhe pse nuk jepen detaje në lidhje me sasitë e drogës së trafikuar nga ky grup jashtë territorit të Shqipërisë, Policia konfirmon se gjatë viteve të hetimeve, këtij grupi i janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge në vazhdimësi. Po kështu, janë arrestuar edhe pjesëtarë të tjerë të grupit gjatë viteve të fundit, që janë shtetasit L.M., E.Z. dhe J.Ll.

ROLET

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Dodë Prela dhe Autor Deda kanë qenë organizatorët dhe financuesit e grupit të trafikut të drogës. Ata siguronin burimet monetare dhe paguanin pjesëtarët e tjerë të grupit duke u ndarë detyrat. Shtetasi në kërkim, R.M., ka qenë personi që siguronte tregun e shitjes së lëndës narkotike në vendin fqinj, Italinë. Për magazinimin e lëndës narkotike sigurohej shtetasi tjetër në kërkim, G.K. Po kështu, tre shtetasit e tjerë, që janë arrestuar më herët, L.M., E.Z. dhe J.Ll., kanë qenë në rolet e transportuesve të drogës. Ata janë të tre nga qarku i Fierit, ky dyshohet se mbillej edhe droga. Burimet thonë se hetimet për këtë grup janë ende në vazhdim, pasi ka dyshime se rrjeti ka qenë edhe më i gjerë. “Në kuadër të procedimit penal të vitit 2013, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, finalizuan operacionin policor të koduar “Overseas”. U arrestuan shtetasit: Autor Deda (alias Lesaj), 38 vjeç, banues në Lezhë; Dodë Prela, 53 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Lezhë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit: R.M., 41 vjeç, banues në Kurbin; G.K., 47 vjeç, banues në Lezhë”, sqaron njoftimi i Policisë.

LEXO EDHE:  Ngarkesa rekord e drogës/ "777, 020, KE", zbërthehen kodet sekrete të trafikantëve në pakot e sekuestruara (Video)

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook