Policia e Elbasanit ka arrestuar një 25-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për tentativë vrasjeje.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Fation Flamuraj, i njohur ndryshe dhe me emrin Kledi Flamuri.

Flamuraj ishte shpallur në kërkim pasi më datë 11 korrik 2017, në vendin e quajtur rruga “Sabaudin Grabani”, u përfshi në një konflikt të çastit me armë ku mbetën të plagosur Jurgen Shakri 25 vjeç dhe Xhenis Vrapi 27 vjeç. 

Nga veprimet e kryera nga policia e Tiranës ka rezultuar se Fation Flamuraj 25 vjeç dhe miku i tij E.F. 25 vjeç, duke udhëtuar me mjetin tip “Wolksvagen Golf”, janë konfliktuar për motive të dobëta me dy 25-vjeçarë dhe kanë përdorur edhe armët.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja, 4 automjete të përdorura nga autorët dhe 2 telefona.

Edhe pse ishte shpallur në kërkim, duket se 25-vjeçari nuk ndalej së kryeri vepra penale.

Sipas policisë, në datën 1 Janar 2018 në Gramsh, në bashkëpunim dyshohet të ketë vjedhur banesën e shtetasit E.L., 39 vjeç.

Ai u arrestua nga policia e Elbasanit më 4 janar ku edhe u zbulua se ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranës.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook