TIRANE
Sezoni i ri televiziv ka filluar tashmë dhe si çdo vit u shoqërua me ndryshime të mëdha. Kalime moderatorësh nga njëri televizion në tjetrin, ndryshime emisionesh, ndryshime oraresh etj. Pas lajmeve të ndryshme në lidhje me largimin e Ermal Mamaqit nga “Tv Klan”, ka vendosur që të reagojë vetë moderatori i njohur.

Nëpërmjet një statusi të gjatë në “Instagram”, Ermali falenderon stafin e madh me të cilin ka punuar pa u lodhur, si dhe njofton se ka menduar të bëjë një shkëputje nga televizioni për t’iu përkushtuar kinematografisë dhe marketingut.

“Miq, ju jam mirënjohës për mesazhet e shumta që më dërgoni në lidhje me ‘Xing me Ermalin’. E ardhmja jonë ndërtohet në momentet kur ne marrim vendimet. Dhe vendimet më të rëndësishme dhe që të çojnë përpara janë ato që të nxjerrin nga zona e rehatisë.
Kam marrë vendim të bëj një pauzë të shkurtër në punën time si moderator. Si rrjedhojë, ‘Xing me Ermalin’ nuk do të jetë, të paktën deri në janar, në programet televizive.
Karriera ime do të zhvendoset në industrinë e Kinematografisë dhe Marketingut në këto momente. Në të njëjtën kohë bashkë me ekipin krijues të Xing.al po ndërtojmë një format të ri emisioni që me shumë mundësi vjen në muajin janar në television. Një falenderim të madh kam për regjisoren Lorena Basha, skenaristët Besnik Mustafaj dhe Klaudja Brahimaj, për Olimpjan dhe bandën e Xingut, si dhe për të gjithë stafin e palodhur dhe të çmendur të ‘Xing me Ermalin’.
Mirënjohje televizionit kampion TV Klan për kushtet dhe për dashurinë e treguar në këto 3 vite. Ndërkohë miq, ju pres me surpriza të reja që do t’ju mekin… Sepse siç thotë dhe miku im Will Smith: ‘Në jetë nuk ka rëndësi sa herë merr frymë. Momentet që të lënë pa frymë janë ato që e bëjnë jetën t’ia vlejë’. Ju përqaputh të gjithëve”, -ka shkruar Ermali