‘2 gisht mjaltë’ ka rezultuar një sukses që në ditët e para të publikimit në kinematë shqiptare.

Pas suksesit në vendin tonë, Ermal Mamaqi dhe Elvana Gjata kanë bërë të mundur ta ‘afrojnë’ filmin dhe pranë shqiptarëve jashtë shtetit, si përshembull në Turqi, Zvicër, Austri, Gjermani, etj.

Gjatë qëndrimit të tyre në ‘Cannes’, Ermal Mamaqi ka dhënë një intervistë për “CINEUROPA” ku ka folur mbi filmin, historinë që trajton ai, buxhetin e harxhuar si dhe për fitimet që ka sjellë.

“Filmi ka mbledhur më shumë se 1 milion euro në kinema dhe në muajin e parë shitëm 250 mijë bileta. Buxheti i filmit ishte gati 300 mijë euro. Gjysma e parave ishin të miat dhe gjysma e sponsorëve”, ka thënë ai.

Ermali shtoi se në fillim kishte frikë rreth asaj se sa do të mund t’i rikthente paratë që shpenzoi në realizimin e filmit.

“Në fillim kisha frikë nëse do mund t’i merrja sërish paratë apo do humbja. Por ky është biznesi. Nëse di si të luash, është lojë e mirë. Nëse nuk di, është si kumar”, shtoi ai.