Ditën e sotme euro ka shënuar rritjen më të madhe në tregun e këmbimit valutor vendas dhe ka nisur të rritet ndjeshëm.

Një euro është këmbyer sot me 124,98 lekë me rreth 0,73 pikë më shumë se një ditë më parë. Që prej qershorit 2018 kjo është rritja më e madhe ditore.

Monedha e përbashkët ka rikuperuar pikë kundrejt lekut që nga data 27 dhjetor duke u forcuar me 2.2 pikë kundrejt monedhës vendase.

Rritja e euros është argumentuar nga aktorët e tregut me akumulimin e të ardhurave të kompanive gjatë ditëve të fundit të 2018-ës. Forcimi i euros do të vijojë edhe për ditët në vijim gjatë muajit janar deri në përfundimin e afateve për pagesat e detyrimeve në Tatime.

Në vitin 2018, kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a. Dy faktorët jo fondamentalë që ndikuan ishin konvertimet e kapitalit të bankave dhe paratë informale.

Gjatë dhjetorit, euro po zhvlerësohej me shpejtësi ndaj monedhës vendase dhe sipas ekspertëve arsyeja kryesore ishte qarkullimi i ulët i parasë në ekonomi. Për bizneset, ditët e fundit të vitit që lamë pas, shënuan një rritje të aktivitetit dhe akumuluan të ardhura të cilat po i këmbejnë këto ditë.