Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar publikimin e fakteve tronditëse në mbledhjen e opozitës së bashkuar në Elbasan.

E këto fakte, sipas tij, kanë të bëjnë me Xibrakën dhe laboratorin e kokainës.

“Fakte tronditëse do të dalin dhe do të provojnë se këtu në Elbasan Rama ngriti çengelin e krimit të organizuar”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së tha se krimi i organizuar është edhe çështje ekonomie.

“5 vjet më parë u inaugurua tuneli i kërrabës, një vepër e madhe infrastrukturore, nga qeverisja e PD. 5 vjet më vonë kjo rrugë nuk ka përfunduar ndërsa ka gëlltitur për shumë pak kilometra, miliona euro. Nënkontraktor është Edmod Bego, anëtar i bandës së Lushnjës, mik i Ballës i cili ka marr plot 10 mln euro. Marrëdhënia e Ballës me Begon është një hesap që rëndon në xhepin e shqiptarëve. Janë zhdukur miliona euro dhe nuk përfundon rruga e Elbasanit. Kur ne drejtuam, ndërtuam autostrada, hoqëm kufijtë, futëm investime të huaja. Bëmë edhe gabime për të cilat u ndëshkuam me votë dhe dolëm në opozitë për t’u përgatitur më mirë, të vijmë në pushtet për ta çuar vendin përpara. 5 vjet që harxhojmë gjithë energjitë tona për të hequr kriminelët vrasësit, nga zyrat e shtetit”, deklaroi kreu i PD-së.

Basha tha se në funksion të këtij objektivi kombëtar për të çliruar qeverisjen nga krimi opozita e bashkuar, po përpunon platformën e saj e cila do të bëhet publike menjëherë.

LEXO EDHE:  "Lumenjtë e baltës t'i lëmë në shqip, në anglisht të jemi bashkë", Rama fton sërish opozitën për bashkëpunim

“Vendimi ynë, ka qenë të jemi me njerëzit, t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin. Të çojmë politikanët e lidhur me krimin para drejtësisë. Ofrojmë një plan pune që çliron ekonominë nga oligarkët, zhvatja e grabitja, duke nisur nga paradhoma e Ramës.
Dekriminalizim i plotë, çlirimi i drejtësisë nga kapja politike, zgjedhje të lira të ndershme demokratike, ku qytetarët të vendosin, janë objektiva kryesore të platformës tonë në këtë mbledhje këtu në Elbasan”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së theksoi më tej se “Duke dënuar mungesën totale të vëmendjes e pranisë të rendit këtu në Elbasan, le t’i japim formë kësaj platforme e të nisim punën për shpërndarjen e diskutimin e mobilizimin qytetar për ta kthyer këtë platformë në një alternativë që ta parashtrojmë si rrugëdaljen nga katastrofa në të cilin e ka futur Shqipërinë bashkëqeverisja e Ramës me krimin”.