Policia e Fierit ka goditur një grup familjar, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të përpunimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike Heroinë dhe Kokainë në qytetin e Fierit dhe në qytete të tjera.

Në kuadër të operacionit të koduar “Shënjestra” në pranga u vunë 3 persona si u shpall në kërkim një tjetër, si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Të arrestuarit janë babë e bir, si dhe kunata.

“Si rezultat i operacionit, në banesat e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua rreth 1,4 Kg lëndë narkotike e dyshuar Heroinë dhe rreth 1 Kg lëndë narkotike e dyshuar Kokainë. Një pjesë e Heroinës ishte e ndarë në doza të vogla gati për shitje”, sqaron policia.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe 1 armë gjahu pa leje.

U arrestuan: 

I. T., 47 vjeç, banues në Bishanak, Fier (i dënuar më parë për grabitje me dhunë).

G. T., 22 vjeç (djali i I. T), banues në Bishanak, Fier.

T. T, 51 vjeçe (kunata e I. T), banuese në Bishanak, Fier.

U proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë dhe vijojnë hetimet për të parë implikimin e tyre në këtë veprimtari kriminale.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Z. T., 55 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor i shtetasve të arrestuar për  këtë veprimtari kriminale

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”./OraNews