Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka firmosur urdhrin e tij të parë i cili lidhet me Vettingun në rradhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së.

Ministri Xhafaj ka firmosur nisjen e punës për ngritjen e strukturave që do të përgatisin procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës, integritetit dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë, Gardës dhe SHÇBA-së.

Zv/ministri i Brendshën do të ngrejë grupin e punës  i cili  do të asistohet nga misionet e asistencës së BE-së (Pameca V) dhe ShBA-së (ICITAP), si dhe ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë

Detyrat kryesore të punës së këtij grupi parashihen: analiza e gjendjes aktuale si dhe hartimi e propozimi i një pakete të plotë ligjore, për realizimin e këtij procesi Vettingu, që duhet të dorëzohet brenda këtij fundviti.

Procesit të Vettingut do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e strukturave të mësipërme pa përjashtim, në të gjitha nivelet, nga drejtuesi më i lartë deri te specialisti më i thjeshtë.

Rritja e besimit të qytetarëve në organet e rendit dhe sigurisë është një objektiv parësor i punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.