Ekziston një pyll në Shqipëri që është unik në llojin e tij. Tashmë ai ka marrë statusin e Trashëgimisë Botërore të Natyrës.

Bëhet fjalë për pyllin e Rrajcës, pjesë e parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Në sesionin e 41 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur më 9-12 korrik Pylli i Rrajcës në Përrenjas dhe Lumi i Gashit në Tropojë, janë përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të Natyrës.

“Para se të futesh në fshat duhet të kalosh një portë të gurtë e njohur me emrin “Shkalla e Skënderbeut”. Edhe fshati mban emrin e tij, Skënderbej. Gojëdhëna thotë se heroi ynë legjendar e goditi me shpatë gurin dhe hapi udhën për në mal”

Pylli është i përbërë kryesisht prej drurë të fuqishëm ahu që ngrihen dhjetëra metra lart në qiell. Këtu natyra ka ndalur dhe ecën sipas ligjësive të saj.

Është një peizazh i virgjër ku cikli biologjik është i mbyllur, një laborator, një univers më vete mjedisor që të mahnit.

Drurët e moçëm që e kanë mbyllur ciklin kanë rënë. Mbi kalbësira rriten myshqe, kërpudha, bakterie pleh dhe kombinime të tjera që shërbejnë si ushqim për drurët më të rinj. Edhe mizat janë ngrënë nga qukapikë.

Aty has gjithçka, petale, bimë mjekësore, dredhëza deri tek lule mishngrënëse. Më thellë fshihen kaproj, derra të egër, dhi, ujqër, dhelpra, arinj.

Ndoshta po të guxosh ditë e natë takon edhe Tigrin e Ballkanit, Rrëqebullin, një lloj mace e egër që po shkon drejt zhdukjes. Në përroi që kalon poshtë trofta e egër tenton të ngjitet në lartësi.