Rruga tek Lugina e Valbonës ka ndryshuar shumë dhe nuk është më ajo e njëjta dhe jo për shkaqe natyrore por për shkaqe njerëzore, teksa dora e njeriut po përpiqet edhe njëherë të shkatërrojë diçka.

Eskavatorët dhe buldozerët janë duke çarë shpatet e maleve dhe gërmuar anën e lumit. Me qindra metra kanale betoni dhe kampe punimesh janë vendosur përgjatë aksit dhe pishat tek ana e rrugës janë mbuluar për disa kilometra me një mbulesë plastike që përdoret tek frontet ku ka punime.

Punimet po zhvillohen në zonën e Dragobisë ku bashkohen tre nga lumenjtë më të bukur të kësaj lugine ai i Motinës, i Çeremit dhe Valbonës. Vendasit janë shprehur se kanalet prej betoni do ta marrin ujin nga këto burime për të prodhuar energji në muajt e dimrit por kjo ka për të shkatërruar biodiversitetin  pasi ky shfrytëzim do të shterojë krojet e zonës në verë dhe ambienti nuk do të sjellë më turistë në këto pika.