Një aksident rrugor është shënuar pasditen e sotme në aksin rrugor Lezhë-Laç, ku është përfshirë edhe një automjet shërbimi i Policisë së Lezhës.

Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se një automjet tip furgon është përplasur me makinën e policisë, dhe për pasojë janë plagosur dy efektivë të policisë, të cilët janë dërguar në spital, nga ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë: 
Më datë 04.05.2018, rreth orës 15:53, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në afërsi të Kryqëzimit Spiten, janë përplasur mjeti tip furgon me targë AA 564 NB  drejtuar nga shtetasi D.Z.,  me një makinë shërbimi të Policisë Lezhë  me targë TR 2703E drejtuar nga punonjësi i policisë  shtetasi D.Ç.

Për pasojë janë lënduar 2 punonjës policie që ishin  në mjetin e policisë të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën, kurse 2 drejtuesit e 2 mjeteve, pas kontrollit mjekësor në Spitalin Rajonal Lezhë, janë larguar nga spitali pa probleme për shëndetin.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook