Shpella e Shën Marenës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Rektorati i Universitetit Shtetëror me vendim nr. 1886, datë 10. 06. 1973. Koha e ndërtimit, 30.000-10.000 para. Ndodhet në bashkinë Finiq, tek mali i Miles.

Shpella e Shën Marenës ndodhet pothuajse në majën e malit të Miles, mbi grykën e Bogazit. Ajo është shpellë karstike me dy kate. Ambienti i katit të poshtëm është 6 m i gjatë, 3.50 m i gjerë dhe 7 m i lartë. E gjithë shpella është e transformuar në një kishë që në periudhën mesjetare dhe disa nga faqet shkëmbore të shpellës janë pikturuar me afreska. Në ambjentin e poshtëm ka patur një varr. Ajo u identifikua fillimisht në vitin 1930 nga prehistoriani italian Luigi Cardini, i cili në vitin 1939 kreu disa sondazhe brenda shpellës. Depozitimet kulturore ishin ndarë në dy shtresa. Shtresa e parë kishte depozitime qeramike të kohëve të vona, ndërsa në shtresën e dytë u gjetën disa objekte litike, fragmente qeramike si dhe kocka kafshësh, kryesisht gjitarësh dhe shpendësh (Ovis, Sus, Capra Ibex). Nga objektet litike veçohen dy gërryese prej stëralli, njëra me teh të gjerë, ndërsa tjetra me teh të mprehtë. Objektet litike i përkasin paleolitit të sipërm, ndërsa qeramika i përket periudhës së neolitit. Që nga periudha e Cardinit nuk janë bërë gërmime të reja. Autorët e mëvonshëm që e kanë vizituar shpellën dhe kanë shkruar për të, janë mbështetur në të dhënat e përftuara nga gërmimet e Cardinit.

LEXO EDHE:  E grabitën dhe i vunë flakën banesës dykatëshe, panik mes banorëve

Në këtë vendbanim prehistorik, objekt kulti dhe monument kulture, hyrja është pa biletë. Shpella ndodhet midis fshatrave Mursi dhe Shkallë, në malin e Miles direkt mbi rrugën automobilistike në grykën e Bogazit.