Një stuhi e fuqishme solli me vete breshër, që la të plagosur një grua në Queensland të Australisë.

Fiona Simpson përdori trupin si mburojë për të mbuluar fëmijën e saj 4 muajsh dhe pasojat ishin të pabesueshme.

Gruaja ishte nisur për në shtëpinë e saj në Kingaroy, sëbashku me beben dhe të ëmën, kur i zuri stuhia ekstreme. Kur situata u rëndua edhe më shumë, ajo ndaloi mjetin, duke mos e ditur që gjithçka do të përkeqësohej edhe më shumë.

Shumë shpejt ajo nisi të dëgjonte zhurmë të fortë dhe u kthye për të parë se çfarë po ndodhte. “Shiu nisi të binte me rrëmbim dhe xhami i pasmë i makinës ku ndodhej vajza u hap papritur, duke fluturuar tutje”, tha Simpson për ABC.

Kokrrat e breshërit ishin kaq të mëdha dhe po binin me një forcë të tillë sa thyen xhamin e automjetit.

Pikërisht në këtë moment, për të mbrojtur të bijën gruaja u hodh në sediljen e pasme dhe e mbështolli të miturën me trup. “Pashë nga pas dhe mund të shihja që po ulërinte, por nuk e dëgjoja dot, kaq zhurmë e madhe ishte”, tha ajo.