Ka startuar në këto momente në “Stade de France” përballja mes kampionëve të botës dhe Shqipërisë te drejtuar nga Edi Reja, që ka vendosur t’i besojë edhe njëherë skemës 3-5-2 dhe Odise Roshit, që e ka spostuar në të majtë me shpresën për të befasuar Francën.

Edhe në konferencën e fundit për shtyp, Reja ka deklaruar se kërkon të befasojë transalpinët me lëvizje të shpejta dhe duket se formacioni i ndëruar nga ai, me Roshin e Hysajn nga krahët, Baren, Abrasin dhe Ramadanin në qendër dhe Uzinin pas Balajt, synon pikërisht këtë gjë.

Franca e tregon menjëherë se është kampionia e botës në fuqi. Minuta e 8-të dhe Koman i vidhet mbrojtjes shqiptare, me Roshin që humbet lojtarin dhe qendrat që mbajnë anësorin e Bajernit në lojë. Koman futet në zonë dhe thyen Strakoshën në shtyllën e parë, për kënaqësinë e tifozëve të tij.

Shqipëria e humbet pusullën. Nuk di të organizohet dhe shfaq limite të theksuara sa herë që “gjelat” shkelin pedalin e gazit. Kështu ndodh dhe në minutën e 27-të, me Olivie Zhiru që realizon golin e dytë, apo me aksionin që sjell penalltinë e minutës së 36-të, të cilën fatmirësisht e humbet Grizman, që përplas topin në traversë.

Mbyllet 2-0 pjesa e parë për të zotët e shtëpisë. Shqipëria në asnjë çast kërcënuese, ndërsa eksperimenti me Roshin në më të majtë rezultoi i dështuar për Rejën, që u detyrua të nxirrte Hysajn në atë krah.