Gazetari investigativ Artan Hoxha pas protestës së dhunshme të organizuar nga opozita, ku garda iu kundërpërgjigj protestuesve me hedhjen e gazit lotsjellës, ka bërë deklaratën që askush nuk e priste, duke deklaruar se ato pajisje për fatin e keq të ish-kryeministrit Sali Berisha janë blerë nga vetë ai.

I ftuar në studion e televizionit Report Tv, Hoxha ka zbuluar gjithashtu detaje të tjera në lidhje me protestën, duke deklaruar se grupi që shkaktonte incidente në protestë, nuk ishte më shumë se 100-200 persona.

“100-200 persona jo më shumë ka qenë nr i atyre që kanë kryer incidente. Ata ishin të pajisur me shkopinj banderolash, sende të forta, pllaka të bulevardit, dhe me bomba artizanale molotov.

Në momentin kur janë hedhur bombat Molotov, policia është shpërndarë dhe ka ngelur dera e kryeministrisë pa gardh mbrojtës. Më pas nga brënda Garda kishte marrë masa shtesë.

Turma, në pjesën e skelës ishin aq të shpejtë,saqë e zgjidhën skelën shumë shpejt, ka patur një sulm të vazhdueshëm, dhe gardistët e kishin një problem në pamundesi për të evituar një grup personash të dhunshëm, atëherë garda ka përdorur gazin lotsjellës’.

‘Të gjitha pajisjet që janë përdorur sot me gaz lotsjellës janë pajisje që janë blerë pas 21 Janarit. Për ironi të fatit të Berishës, ato i ka blerë ai vet për të përballuar demonstratat e mundshme në të ardhmen”, -deklaroi gazetari Artan Hoxha.