Ministria e Energjitikës dha një tjetër leje për ndërtimin e një HEC-i të vogël në Gjirokastër. Konkretisht bëhet fjalë për në fshatin Kolonjë.

Banorët e fshatit kanë dalë kundër, me pretendimin se HEC-i do të shfrytëzojë të vetmin burim ujor që ka fshati. Ata kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion që do t’i shkojë Bashkisë Gjirokastër dhe institucioneve të tjera.

‘HEC Kolonja’ do të zhvillohet nga kompania ‘E.T.T. GROUP AUTO” Sh.p.k, me administrator Ollga Gjokaj, e cila është aktualisht drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Nr.4 në Tiranë.

Ndërkohë në rrjetet sociale është njoftuar edhe një protestë më datë 15 shkurt në fshatin Kolonjë nga banorët vendas. Ata e kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it me pretendimin se do të dëmtojë burimin e Rehovës, i cili furnizon me ujë fshatin.