Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp ku foli rreth protestës kaotike që ndodhi ditën e sotme tek Rruga e Kombit.

Gjatë deklaratës së tij, Rama tha se aktet në Rrugën e Kombit ishtin krime të rënda dhe si të tilla do të ndëshkohen.

“Aktet në aksin e Rrugës së Kombit janë krime të rënda. Ju siguroj se këto krime do të ndëshkohen me gjithë rëndesën e forcës së ligjit. Kush e  vuri atë zjarr, kush ushtroi vandalizëm mbi pronën publike dhe private dhe kush guxoi të ngrejë dorë mbi forcat e  policisë duke cënuar rendin dhe sigurinë e shumë udhëtarëve përmes bllokimit të dhunshëm të lëvizjes nga dy anët e kufirit nuk do të ketë asnjë shans ti shpëtojë ndëshkimit të ligjit”, theksoi Rama

Rama fajëson opozitën: Vandalët nuk janë Kukësi as Shqipëria

Me një gjuhë të ashpër Rama iu drejtua opozitës, duke e bërë përgjegjëse për nxitjen e dhunës. Kryeministri tha se do ta marrin përgjigjen e merituar në qershor nga Kukësi dhe gjithë Shqipëria.

Rama: Ndërkohë zjarrënxitësve të kazanit politik të Tiranës, atyre që mjerisht nuk e udhëheqin por e udhëpërmbysin çdo ditë opozitën shqiptare duke e mbajtur atë peng nga frika e drejtësisë së re dhe duke e keqpërdorur përditë si një instrument kërcënimesh ndaj rrugës europiane të Shqipërisë u them kaq: As populli i krejt Shqipërisë, as populli i vetë Kukësit nuk kanë asnjë lidhje me këtë shfaqe të ulët vandalizmi dhe po ashtu asnjë lidhje nuk kanë me dëshpërimin tuaj agresiv. Përgjigjen prej Kukësit dhe gjithë Shqipërisë, gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit që tërheqin zvarrë opozitën do ta marrë mu ashtu siç e meritojnë qershorin e ardhshëm, padiskutim edhe më shembullore sesa përgjigjja e qartë që morën qershorin e shkuar qoftë në Kukës, qoftë në mbarë Shqipërinë. 

Ndërsa të pangushëllueshmit, kryetarë pa kokë të opozitës i cili doli pas zjarrit në mejdan me shpatën prej druri të aritmetikës së tij duke ngatërruar 200 milion dollarët që e vunë atë vetë nën akuzë për grabitje të Rrugës së Kombit me një 200 milion dollarësh që sipas tij rri fshehur në arkën e shtetit dhe u dashka shpenzuar për mirëmbajtjen pa pagesë të Rrugës së Kombit, nuk kam çfarë i them:  Aq s’di, aq bën. Të tërë bashkë mbledhur në ballin e kazanit politik me votat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, këta udhëpërmbysës të opozitës nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër përveç asaj që kanë bërë gjithnjë, të tallen me pakicën dhe me pakicën e pakicës për të nxitur rrëmuja e zjarrndezje kur janë në opozitë dhe për të bërë rrompalla dhe hapur gropa në çdo fushë të jetës shqiptare sa herë janë në pushtet. 

Këtë të vërtetë të hidhur për ta por fatkeqësisht edhe për Shqipërinë e mbetur pa opozitën që meriton e di mirë shumica e shqiptarëve të arsyeshëm e cila  vetëm rritet në numër dhe vetëdijen se Shqipëria që duam nuk bëhet dot as më përralla, as me gënjeshtra, as me llogje parlamenti dhe lotë krokodili në emër të popullit por me reforma të thella, nganjëherë të dhimbshme, me punë të palodhur dhe me durim dhe sakrifica jo të vogla. 

Fati i politikës mizerabël të përrallave dhe shkatërrimit me benzine në gojë dhe me çizme në dorë është i shkruar dhe mbetet vetëm ta lexojmë deri në fund. Kukësi nuk mund dhe nuk do të kthehet kurrë në mish për zjarrin që duan të ndezin kartat e djegura të politikës së Tiranës. 

Për shumicën qeverisëse të këtij vendi dhe për mua si Kryemistër, vandalët që dhanë sot një shfaqe të neveritshme antishtet nuk janë Kukësi, nuk janë Tropoja, nuk janë Hasi, nuk janë Shqipëria, nuk janë populli i Kukësit dhe absolutisht jo as ajo pjesë e nderuar dhe e respektuar e atij komuniteti që e konsideron të lartë pagesën e rrugës dhe prandaj e kundërshton atë. Me vandalët ne do të sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit ndërsa me qytetarët që kundështojnë pagesën sepse e konsiderojnë atë të lartë ne do të sillemi siç na e do vizioni që kemi dhe detyra që mbajmë. Do të bashkëbisedojmë, do të dëgjojmë me vëmendje dhe do të shpjegojmë me durim të gjithë të vërtetat e shtrembëruara apo të mohuara krejt prej gënjeshtarëve dhe sharlatanëve të kazanit politik dhe mediatik.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

LEXO EDHE:  Gocat e Zaganit, si kësulëkuqja para ujkut pyesin kryeministrin: ”Pse e ke..."