Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi dje të shkarkojë gjyqtarin e lartë, Edmond Islamaj. Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të paplotë dhe të pasaktë të pasurisë së tij. Gjykata me dy anëtarë

Xhentila Gjoshi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka marrë dje vendimin për të shkarkuar gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj. Ai ishte konfirmuar në detyrë nga KPK, por Komisioneri Publik e apeloi vendimin. Komisioneri publik pretendonte se shkalla e parë e vetting-ut nuk i ka bërë llogaritë siç duhet dhe se nuk ka përdorur të njëjtin standard kontrolli si për të tjerët që u bënë shkak për përballjen e Islamajt sërish me vetting-un. Komisioneri publik, Florian Ballhysa tha në nëntor të 2018-s, se blerja e një trualli në Karpen, 25-fish më lirë sesa çmimi real është e dyshimtë. Pas këtij vendimi të dhënë dje nga KPA, Gjykata e Lartë mbetet me vetëm 2 anëtarë, në një kohë kur volumi i çështjeve që presin në Gjykatën e Lartë ka shkuar mbi 31 mijë dosje. Shkarkimi i Islamajt sjell ngërç edhe në Gjykatën e Lartë, e cila nuk mund të marrë dot vendime, pasi anëtari tjetër, Medi Bici, është zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, çka ka sjellë edhe largimin e tij nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë që Ardian Dvorani është njëkohësisht edhe kryetar i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ndërsa kryetrari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori pas konfirmimit nga KPK, është ankimuar në KPA, e pritet që në javët e ardhshme të nisë edhe seanca për të.

Vendimi

Gjatë komunikimit të vendimit kreu i trupës gjykuese është shprehur se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të paplotë dhe të pasaktë të pasurisë së tij në deklaratën e tij në vetting, me qëllim shmangien nga kontrolli në kuadër të procesit të rivlerësimit të pasurisë së tij në formën e likuiditetit në sistemin bankar për shkak se rezulton në pamundësi të burimeve të ligjshme për ta justifikuar. Gjyqtari e kishte kaluar vetting-un pak kohë më parë, por vendimi u ankimua nga Komisioni Publik për dy shkelje në lidhje me pasurinë që sipas Komisionerit Publik nuk janë hetuar siç duhet nga KPK. Në listën e verifikimeve të paplota, Komisioneri Publik përmend transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkëjetuesen e tij S.T. Një tjetër gjetje e Komisionerit Publik lidhet me pretendimet se gjyqtari Islamaj s’duhet të kalonte vettingun pa një hetim të plotë. Gjithashtu, një tjetër çështje që u hetua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ishte dhe një kontratë huamarrje e vjehrrit të gjyqtarit me një person tjetër në vlerën e 3 milionë lekëve, ku personi i pyetur nga Komisioneri Publik e mohon dhënien e këtij borxhi.

LEXO EDHE:  Shullazi thyen heshtjen, flet për herë të parë në gjykatë: Ç'më ofroi Ylvi Beqja për ta ndihmuar

Dokumentet

Gjyqtari Edmond Islamaj depozitoi më herët në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit 4 dokumente, përfshirë një certifikatë historike banimi për një person të lidhur në Itali, si dhe certifikatat e regjistrimit në tatime e shoqatës ‘Meduza’ dhe deklaratat noteriale të dy organizatave jo-fitimprurëse, Meduza dhe I.R.E.A. Këto akte kanë si qëllim të mbështesin prapësimet e subjektit për mbulimin e kostove për udhëtimet e tij jashtë shtetit të nxjerra në pah nga analiza financiare e bërë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Megjithatë, aktet e paraqitura nga Islamaj u kontestuan nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i cili i kërkoi Kolegjit që ato të mos pranoheshin. Sipas Komisionerit, subjekti ka paraqitur deklarata noteriale të marra në shtetin italian nga noter shqiptar, të cilat kalojnë kompetencat e tij dhe nuk duhet të pranohen si prova.

Apelimi

Komisioneri Publik është shprehur se vlera e deklaratave noteriale të administruara nga Kolegji si prova, duhet t’i nënshtrohej rregullave të dëshmisë përpara trupës gjykuese, për këtë arsye Komisioneri Publik kërkoi që ato të mos merreshin në konsideratë si pjesë e analizës financiare të subjektit. Islamaj kërkoi kohë të kundërshtonte qëndrimin e Komisionerit Publik dhe debatoi me kryesuesin Luan Daci pasi kjo kohë ju mohua. Pasi u tërhoq për disa orë, trupa gjykuese vendosi t’i japë fund shqyrtimit gjyqësor dhe ta caktojë datën 2 maj për përfundimet e palëve.