14 vite burg për Emiljano Shullazin. Ky ka qenë vendimi i sotëm që dha Gjykata e Krimeve të Rënda. Po ashtu togat e zeza dhanë vendimin edhe për pjesëtarët e bandës së tij.

Kështu mbështetësi i tij kryesor Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg, Endri Qyqa dhe Endri Zela me nga 10 vite burg. Ndërkohë Blerim Shullazi u denua me 9 vite heqje lirie.

Mësohet se Emiljano Shullazi u shpall faktor për gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe Jani Zako, por shpëtoi nga akuzat për shkatërrim të pronës me eksploziv për dy raste dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule.

Gjykata dha gjithashtu një masë shtrënguese, që të pandehurit të mos përfitojnë nga e drejta e lirimit me kusht, dhe dënimin do e kryejnë në një burg jo të sigurisë së lartë.

-Emiljano Shullazi 14 vjet
-Gilmando Dani 12 vjet burg
-Endri Qyqa 10 vjet burg
-Endri Zela 10 vjet burg për
-Blerim Shullazi 9 vjet burg

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe tha se vendimin e Gjykatës do ta apelojnë.

Në një deklaratë për mediat, pas dhënies së vendimit, Meçe tha se gjykata nuk i shpëton dot presionit.

“Vendimi është i padrejtë, do ta anikojmë. Pati edhe akuza që ranë poshtë nga gjykata, por duhet të binin edhe këto akuzat e tjera. Vendimi nuk u dha i arsyetuar, u dha vetëm dispozitivi. Fatkeqësia e kësaj gjykate është që nuk i shpëton dot presioni dhe së dyti në fushën në të cilën këta operojnë janë në gjendje të bëjnë dallimin mes të drejtës civile, administrative dhe penale. Të gjitha akuzat ishin të stisura”, deklaroi ai.