Sektori për Krimet e Rënda në bashkëpunim me shërbimet e Komisaritatit të Policisë nr.4 në Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Rolex”, duke vënë në pranga grabitësit e një kasaforte te rruga e Dibrës dy ditë më parë.

Sipas policisë, janë arrestuar shtetasit: Eduard Ngota, 32-vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, Zenel Dama, 27-vjeç, banues në Tiranë si dhe është shpallur në kërkim dhe një person i tretë, shtetasja R.B., 36-vjeçe, banuese në Tiranë.

Policia ka sekuestruar gjatë operacionit nën cilësinë e provës materiale: 9500 euro, 3 ora, 3 byzylykë, 1 varëse floriri dhe një automjet.

Njoftimi i Policisë
“Më datë 16.08.2017, Sektori për Krimet e Rënda pranë D.V.P. Tiranë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, në kuadër të operacionit “ROLEKSI”, ka bërë të mundur arrestimin e shtetasve :

– E. N, 32 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
– Z. D, 27 vjeç banues në Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë i mundur pasi në sajë të një pune të mirëorganizuar hetimore, është arritur të dokumentohet me prova ligjore, autorësia e ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2017 , ku këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë vjedhur një kasafortë, në një ndërtesë në rrugën e “Dibrës”.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sendet e ndodhura në kasafortën e vjedhur :
– 9 500 (nëntë mijë e pesqindë) euro.
– Një orë Roleks Day-Data me ngjyrë gri metalizato.
– Një orë Roleks Day-Data me ngjyrë floriri.
– Një orë Jaeger Lecoultre, me ngjyrë floriri.
– Tre byzylyk floriri.
– Një varëse floriri.
– Një automjet i tipit “Fiat Punto” ( i cili ka shërbyer për transportimin e kasafortës dhe largimin e autorëve nga vendi i ngjarjes).
Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasja :
– R.B., 36 vjeçe, banuese në Tiranë.

Materialet do ti referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134/3 dhe 25 të Kodit Penal.”