Pas grabitjes së kryer sot brenda hipotekës së Tiranës ka reaguar Posta Shqiptare pas njoftimit të Policisë.

Posta bie në kundërshtim me verdiktin e policisë, që bëri me dije në njoftimin e saj se është grabitur pikërisht filiali i Postës Shqiptare nga një person me kapuç, duke sqaruar se në zyrat e këtij shërbimi nuk ka ndodhur asnjë grabitje. 

Posta sqaron se brenda hipotekës është grabitur banka e nivelit të dytë.

“Posta Shqiptare Sh.A, u njoh me lajmin e publikuar në disa media, në të cilin pretendohej “Grabitja e Zyrës Postare të atashuar në ambientet e Hipotekës, Tiranë”, për të cilin sqarojmë dhe saktësojmë: Posta Shqiptare Sh.A u informua në lidhje me një grabitje që ka ndodhur në një Bankë të Nivelit të Dytë, në ambientet e sporteleve të zyrave të pritjes të Hipotekës, Tiranë. Sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, Sigurimi Postar dhe Policia e Shtetit, fatmirësisht rezulton se nuk ka patur dëmtime fizike në njerëz, dhe saktëson se kjo grabitje nuk ka ndodhur në Zyrën e Shërbimit Postar që operon në ambientet e brendshme të Hipotekës. Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje, Posta Shqiptare dëshiron të informoj dhe të sigurojë të gjithë qytetarët që shërbimi nëpër sportelet e Postës Shqiptare vazhdon normalisht, duke garantuar siguri dhe cilësi maksimale”, thuhet në njoftimin e Postës.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

LEXO EDHE:  Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, kapet në Tiranë 25-vjeçari nga Pogradeci (Emri)