Prokuroria ka nisur hetimet për gazetaren Klodiana Lala për daljen e informacioneve nga dosja “339”.

Klodiana Lala ka deklaruar se nuk ndihet aspak e trembur dhe se nuk do të nxjerrë asnjë informacion për burimin e saj pavarësisht se Prokuroria do të ngrejë pyetje. Sipas gazetares kjo do të cënonte integritetin e saj si gazetare.

Klodiana Lala ishte gazetarja që investigoi ndërhyrjet e bandës së Shijakut në favor të Kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako për manipulimin e zgjedhjeve në Durrës, Dibër dhe Lezhë.

Ajo theksoi se nuk do ti tregojë burimet e informacioneve të saj edhe sikur ta arrestojnë.

 “Unë s’kam për t’i nxjerr asnjëherë burimet sepse kjo do të cënonte integritetin tim si gazetare, por edhe të gjithë gazetarinë në Shqipëri. A mund të ketë kurajo një prokuror të hetojë një gazetar kur këtu janë vjedhur prej vitesh me miliona. Si mund të më pyes mua një prokuror për burimin, të cilin unë nuk kam për ta treguar edhe sikur të më presë burgu. Përpara se të merren me mua, prokurorët duhet të ulin kokën dhe të merren me dosjet”, – tha Lala ndër të tjera.