Kryetarja e FRESSH në Njësinë nr.6 në Tiranë, Rajselda Hamza, është ndarë nga jeta në moshë të re pas një aksidenti tragjik të pësuar një ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës. Lajmi ka tronditur jo vetëm organizatën FRESSH dhe familjarët e saj, por të gjithë ata që e njihnin të renë.

I pari në rrjetet sociale shkroi deputeti i Partisë Socialiste, Eljo Hysko, njëherazi kryetar i FRESSH, i cili shkruan se nuk e beson ende që Rajselda Hamza të ketë ikur nga kjo botë.

E reja ndërroi jetën në një aksident rrugor të ndodhur dje në aksin Tiranë-Vorë. Rajselda Hamza udhëtonte si pasagjere në vend të parë, në një furgon mallrash i cili drejtohej nga 28-vjeçari, Alkid Kondo.

Ai humbi kontrollin e drejtimit të automjetit, ku për pasojë furgoni doli nga rruga duke u përplasur me një bordurë anësore. Edhe drejtuesi i furgonit mbeti i plagosur. Identifikimi i vajzës ishte i vështirë për shkak se ajo kishte pësuar dëmtime të rënda në fytyrë për shkak të përplasjes së fortë.