Elseid Hysaj do të jetë kapiteni i Shqipërisë në përballjen ndaj Turqisë për eliminatoret e Euro 2020.

Në një intervistë për “Supersport”, futbollisti shkodran u shpreh se e gëzon shumë fakti që do të jetë kapiteni i ekipit përfaqësues dhe për më tepër në qytetin e tij të lindjes.

“Të gjithë lojtarët do donin të ishin kapiten i kombëtares. Është një gëzim i madh për mua aq më tepër që ndeshja luhet në qytetin tim. Besoj se do të jetë një natë fantastike për mua. Turqia është një kundërshtarë shumë i fortë. Do luftojmë të marrim pikë”, tha ai.

“Po punojmë që të nxjerrim një rezultat të mirë. Klima në ekip është shumë e mirë. Është një grup i mirë, kemi shumë lojtarë që kanë minuta të plotë. Shpresoj të marrim gjashtë pikë në dy ndeshje, por këtë gjë do e tregoj fusha”, ka përfunduar Hysaj.

Kujtojmë që sot në orën 20:45 në “Loro Boriçi” Shqipëria do të presë Turqinë në ndeshjen hapëse për eliminatoret e Kampionatit Europian 2020.