Fishekzjarret dhe mjetet e tjera piroteknike të sekuestruara nga Policia Shqiptare në Morinë u përkasin “Plisave”. Ky tifogrup, që mbledh në gjirin e tij tifozë që ndjekin kombëtaren Kuqezi prej kohësh ka reaguar pas njoftimit të policisë.

“Plisat” hedhin poshtë pretendimin e policisë se fishekzjarret dhe mjetet e tjera piroteknike ishin të fshehura në një çantë të këtyre tifozëve.

“Sot gjatë kalimit të kufirit, në doganë jemi ndaluar plot 4 orë nga Policia Shqiptare, nën pretekstin se posedojmë gjëra jo të lejueshme për ndeshjen Shqipëri-Francë. Argumentet tona ishin të qarta: -E posedonim kuponin fiskal të piroteknikës -Nuk e kemi fshehur bagazhin me piroteknikë, por e kemi kaluar në procedura të rregullta.-Qëllimi i piroteknikave ishte ndezja e tyre në qytet, e asesi brenda stadiumit”, thuhet në deklaratën e tyre.

Pavarësisht pretendimit të tifozëve, policia i ka sekuestruar të gjitha lëndët tymuese, ndërsa “Plisat” hamendësojnë se po pengohen nga dikush për të ndjekur Shqipërinë.

“Dikujt i konvenon kjo – ju pengon prezenca jonë në përkrahje të kombëtares. Mendojnë se me intrigat e tyre mund të e ndalojnë kauzën tonë shumëvjeçare si PLISA. SHQIPËRIA SHQIPTARËVE, JO E TRADHËTARVE”, mbyllet reagimi i tyre.