Sinan Idrizi takon futbollistët për rrogat. Është vetë administratori që zbardh për “Panorama Sport” bisedën e zhvilluar dhe më në fund ka dalë hapur, duke thënë: “Nuk jap më afate, u dogja një herë”. Kreu i klubit shpjegon se çfarë po ndodh me turqit dhe paralajmëron largimin në muajin maj.

“Dua që sa më shpejt të mbyllin historinë e këtyre djemve. Të bëjmë ne 10-fishin e asaj që bënë këta. Kam pirë kafe me djemtë. Janë grup i mirë dhe kanë harmoni, ndërsa luajnë dhe janë me karakter. Problemi është që sa më shpejt të mbyllet historia. Kanë qenë edhe të tjerë që i lanë në mes të rrugës, por me këtë sistem nuk shtyhet më. Unë pres deri në fund të majit dhe pastaj nëse nuk ka zgjidhje… Nuk kthyen përgjigje nga bashkia. Në këto kushte kemi vonesa në pagesat e lojtarëve, pasi ato tani nuk bëhen më nga kompanitë tona, por bëhen privatisht, në fakt ne privatisht i kemi bërë, por jo nga konto që vjen andej, por nga një kompani tjetër brenda në Shqipëri, nga llogaria ime private. Për afate nuk mund të flas më pasi u dogja një herë…”, u shpreh Idrizi.

LETRA – Administratori i rikthehet edhe një herë çështjes me bashkinë dhe Këshillin Bashkiak. “Nuk është vështirë që të tërheqësh nga bashkia një letër me dy reshta. Janë  të gjitha listëpagesat e para që janë kryer. Më ktheni përgjigje që nuk i njihni këto që unë kam paguar. Një dokument zyrtar, që unë të jem korrekt me klubin dhe me kompanitë. Nga nëntori në maj, asnjë përgjigje. Ata ndoshta kanë të drejtë ligjore për procedura burokratike, por ka një alarm kohor. Shkoni te noteri në Vlorë, shkoni në banka, janë paguar apo jo. Unë dua dy gishta letër që kjo është mbyllur se kompania nuk mund të hyjë të kalojë limitet. Më thoni ‘nuk t’i njoh’, e mbyllet historia”, tha numri një i klubit.

LICENCIMI – Sinan Idrizi shprehet optimist se Flamurtari do të licencohet për në Kupat e Europës. Ai ka fajësuar ekonomistët e klubit që në raportin që i kanë dërguar institucionit më të lartë të futbollit në vend, kishin marrë për bazë situatën që ishte me bilance negative.

“Kemi dërguar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkojmë të licencohemi për në Kupat e Europës. Unë jam shumë i bindur se do të licencohemi, pasi ndryshe nga një vit më parë këtë vit kemi dërguar të gjithë situatën tonë financiare si sponsor dhe bilancet i kemi pozitive. Nuk kemi bilance negative. Ka qenë një gabim i financierëve që dërgonin bilancet e tjera. Ne nuk kemi asnjë problem ekonomik dhe nuk kemi borxhe që të mos licencohemi. Kemi të gjithë të drejtën që ta marrim këtë vit licencimin”, u shpreh Idrizi. Ai u ndal edhe te transferta korçarë. “Me Skënderbeun ne kemi zhvilluar ndeshje të bukura. Në Korçë këto vitet e fundit kanë qenë lokomotivë e futbollit shqiptar. Unë mendoj se edhe këtë ndeshje do ta fitojmë për të vijuar garën për në Kupat e Europës”, përfundoi Idrizi.