Kina ka aeroportin më të madh dhe më të kushtueshëm në botë, të ndërtuar në më pak se pesë vite, sipas porosive të Presidentit Xi Jinping.

Beijing Daxing International Airport, cilësohet si një thesar i inxhinierisë kineze, ku demonstrohet fuqia e teknologjive më të avancuara në botë, ku parashikohen 72 milionë pasagjerë brenda vitit 2025.

Aeroporti ndodhet 46 kilometër lë jug të sheshit “Tiananmen”, dhe ka një dizajn inovativ, si një yll deti në fund të tij.

Ideatorja e këtij aeroporti, është irakiania Zaha Hadid, e cila përpunoi traditën kineze. Aeroporti ka tetë pista, të cilat drejtohen nga kulla e kontrollit e etiketuar si “syri i feniksit”, është 70 metra e lartë dhe po ashtu check-in bëhet me njohjen e fytyrës.

Parkimi është automatik dhe mbi të gjitha me përmasa tejet gjigante. Me një kosto prej 120 miliardë yuan ose 17.5 miliardë dollarë, shtrihet në 700 mijë metra katrorë, dhe ka një sërë kopshtesh me lule tradicionale.

Lidhja me kryeqytetin është e garantuar me trena që ecin më 160 km/h, duke siguruar zhvendosjen në pak minuta.

Një Airbus 380 i China Southern i drejtuar për në Guangzhou, ishte i pari avion që u ngrit në fluturim pasditen e kësaj të diele në pistat e reja.