Parlamenti është mbledhur ditën e sotme, si çdo të enjte.

Por në ndryshim nga herët e tjera gjatë këtyre muajve të fundin, është vënë re prania e disa prej deputetëve të opozitës.

Mësohet se nga PD të pranishëm në sallën e Kuvendit janë deputeti Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku, Valentina Duka si dhe Luçiano Boçi. Ndërkohë nga LSI janë Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi.

Pas fjalës së deputetit të LSI-së, Luan Rama e mori fjalën kreu i Qeverisë, Edi Rama.

Por teksa Rama është bërë gati të flasë, deputeti Ervin Salianji është çuar në këmbë dhe është nisur drejt foltores, duke mos lejuar që Rama të flasë.

Menjëherë ndërhyri Garda e Kuvendit, duke e nxjerrë jashtë Parlamentit deputetin demokrat.

Kjo solli largimin e deputetëve opozitës nga Kuvendi më pas.

Ndërkohë që në fjalën e shkurtër që mbajti para deputetëve Rama tha se nuk do të pranojë asnjë nga propozimet e opozitës, pasi sipas tij ato nuk janë propozimet e studentëve.

“Protesta i dha një shpresë të gjithë shoqërisë shqiptare. Protesta e studentëve na dha një shuplakë ne qeverisë, dhe një grusht ju opozitës. Në gjashtë muaj e ardhshëm doktoresha e LSI-së do të heqë xhaketën e doktorit, dhe do të mbetet vetëm me çizmet”, u shpreh Rama në fjalën e shkurtër para deputetëve.