INSTAT ka publikuar statistikat për rritjen e shpenzimeve për konsum në 2016-ën.

Mesa duket ekonomia shqiptare po punon vetëm për të pasurit, pasi në 2016 kanë rritur dukshëm shpenzimet me 14.6%.

Sipas INSTAT, gjatë vitit të kaluar Shqipëria u përball me një rritje të thellë të pabarazisë, teksa thuajse e gjithë rritja e konsumit erdhi nga 10 për qind e familjeve më të pasura të vendit, ndërsa pjesa tjetër kanë ulur shpenzimet.

“Shpenzimet mesatare për konsum të familjeve që përbëjnë 10 për qindëshin më të pasur të shoqërisë u rritën me 14,6 % krahasuar me 2015-ën. Ndërsa për 90 për qindëshin e familjeve të tjera ato u rritën me 0,6 %,” raportoi INSTAT.

Vitin e kaluar çmimet në treg, të shprehura sipas treguesit zyrtar të inflacionit u rritën me 1.3 për qind. Kjo do të thotë se 90 për qind e familjeve kanë blerë 0.7 për qind më pak se sa një vit më parë.

Buxheti i familjeve

Sipas INSTAT, në total vitin e kaluar shpenzimet mesatare të familjeve u rritën me 4.2 për qind.

“Në vitin 2016, shpenzimet mesatare mujore për një familje të përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, janë 73.1 mijë lekë nga 70.7 mijë që ishin në 2015,” deklaroi INSTAT. 

Por treguesi i shpenzimeve mesatare nuk e jep të gjithë realitetin mbi gjendjen e familjeve. Sipas INSTAT, familjet që janë në 10 për qindëshin më të pasur të vendit shpenzojnë 158.9 mijë lekë në muaj për konsum, ndërsa 90 për qind e familjeve të tjera vetëm 63.6 mijë lekë në muaj.

LEXO EDHE:  Obligacionet/ Kërkoni të fitoni para lehtë, Banka e Shqipërisë ju jep mundësinë

Të dhënat tregojnë se pikërisht të pasurit janë arsyeja se pse u rrit konsumi gjatë vitit të kaluar.Qeveria është akuzuar shpesh vitet e fundit se përmes politikave të saj ka favorizuar të pasurit. Dhënia e konçesioneve, kontratave monopol dhe përjashtimet nga taksat për një grusht të ulët biznesesh, kanë filluar të japin efektet e para në thellimin e pabarazisë. 

Treguesi i konsumit sinjalizon se e gjithë rritja ekonomike ka shkuar tek pjesa më e pasur e popullsisë, ndërkohë që pjesa dërrmuese e familjeve kanë shtrënguar rripin.