Kryeministri Edi Rama ka folur këtë mbrëmje për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke komentuar për herë të parë edhe qëndrimin e vendeve skeptike, kryesisht Holandës, e cila konfirmoi “Jo-në” edhe pas vendimit të Bundestagut gjerman.

Rama është shprehur në një intervistë në “Report Tv” se hapja e negociatave nuk është më në dorë të Shqipërisë, duke shtuar se nuk ka ende asnjë qëndrim të prerë kundër vendit tonë.

“Presidenti francez e ka qëndrimin publik dhe nuk ka asgjë për të hamendësuar në këtë aspekt. Ai mendon se është koha për të reformuar BE-në dhe debati im është që ndërkohë që BE reformohet i duhet thënë mundësia edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë që të thellojnë reformat përmes procesit të integrimit.

Por e rëndësishme është që nuk varet më nga ne dhe çfarë kemi bërë ne, por nga një qasje e përbashkët e KiE-së ku duhet të krijohet konsensus, përndryshe një qasje e ndryshme e një vendi për interesa të ndryshme mund të pengojë vazhdimin e procesit. Me Gjermaninë e kishim pengesën e natyrës tjetër, por me durim, punë dhe fakte e tejkaluam. Nuk ka asnjë mundësi që të ketë një lobim efektiv për sa kohë janë qëndrime që nuk lidhen fare me Shqipërinë pavarësisht se kamuflohen me lloj lloj alibish dhe ku padrejtësisht cenohet Shqipëria në këtë rast.

Janë qëndrime që lidhen me dinamika të brendshme. Unë them se asgjë nuk është e përfunduar, ne do të shikojmë deri në fund, pasi nuk shoh një qëndrim të prerë kundër mundësisë për një konsensus pozitiv që të na japë mundësi që procesin ta vijojmë formalisht edhe pse vijon, pasi që vjen jemi duke bërë me BE-në çka bëjnë vendet kur hapen negociatat”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, i pyetur për veton kundër nga Greqia, Rama ka deklaruar se ai nuk është një vend skeptik, por ka disa pika që lidhen drejtpërdrejt me këndvështrim për marrëdhëniet bilaterale.
Më tej, ai është përgjigjur edhe për foton e bërë me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, ndërsa ka deklaruar se pati një komunikim të shkurtër me të, dhe i ishte pohuar prej tij se Shqipëria, ‘është duke ecur mjaft mirë’.

I pyetur nëse Trump është mbështetje për të, Rama ka zgjedhur t’i përgjigjej me ironi. “Mos ta bëjmë këtë sallon si kafene fshati, pasi nuk besoj se shtojmë vlerë në këtë bisedë”, është shprehur kryeministri.