Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, u shpreh në foltoren e Kuvendit se kryeministri Rama po rrezikon me pazare politike ‘integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor’.

Sipas Vasilit përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje pafund në të shkuarën dhe në këtë lojë rrezikohet edhe stabiliteti i Shqipërisë, Kosovës dhe vetë rajonit.  Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, theksoi se me këtë veprime fundi i mazhorancës është afër.

Fjalimi i Petrit Vasilit

I nderuar drejtues i seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Në seancën e sotme në jo pak raste, u citua gjerësisht ministri gjerman Rot lidhur me deklarimet e tij më të fundit. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje është se përse nuk u citua një nga deklaratat e tij shumë të rëndësishme të bëra në Deutsche Ëelle, ku ai shprehimisht thotë: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh, ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të shkuarën. Prandaj sipas meje, vazhdon ai, këto përsiatje janë tejet të rrezikshme.”

Momenti më interesant, por edhe më kritik është: “Nga Shqipëria ne presim që kjo të përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik, e të angazhohet për stabilitet në të gjithë rajonin. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të Ballkanit Perëndimor, që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.”

Kjo ftesë është një ftesë e pazakontë, e padëgjuar për politikën shqiptare, e cila ka akumuluar në vite një të mirë të vyer, të ishte konstruktive, faktor i stabilitetit të pazëvendësueshëm në rajon, dhe sigurisht e orientuar qartë në këtë drejtim. Për herë të parë kemi një ftesë, që ajo të bëjë një detyrë, të cilën e ka pasur të natyrshme dhe të gjithë ne në këtë sallë pyesim:

Pse i mungon këtij misioni tashmë tradicional, i cili në konsolidimin e tij ka kaluar nga një mazhorancë në tjetrën në mënyrë pozitive? Për një çështje kaq delikate, çfarë e ka gjetur Kryeministrin, i cili dihet që është një folës i palodhur për gjërat nga më banalet, më të panevojshmet që e ka qepur gojën? Ç’pazare e kanë imponuar këtë heshtje? Cili është ai premtim i errët, i marrë diku larg, jo në perëndim, asnjëherë, që e bën të heshtë? Pse zëvendësohen propozimet, draftet, projektet nga qenia mbi tavolinë, vazhdojnë të rrinë nën tavolinë? Pse bisedat e hapura publike, deklarimet e qarta publike zëvendësohen me takime minjsh fajtorë, peng të kushedi se çfarë gjërash të tjera, në vend të një politike të qartë?

Përderisa në lojë është stabiliteti i Shqipërisë, i Kosovës dhe i rajonit, ministër de jure me tjetër ministër de facto, zgjidhje e tij, përgjegjësitë kushtetuese mbeten atje dhe i kërkohen atij, cili është ai problem shumë i madh, ai angazhim i marrë lart, poshtë, veri, jug, lindje edhe perëndim po të doni, që e bën të mos flasë dhe të heshtë?

Ky moment është një moment shumë i rëndë për qeverisjen e vendit, që ajo i mungon detyrës së saj. I mungon dhe arritjes së saj historike, të arritur të gjithë së bashku. Madje nuk duhen veçuar merita të asnjë krahu politik, por sot është këtu qeverisja përpara një faji të madh, që i mungon misionit dhe ministri i një shteti të madh, e thërret sërish për të qenë i qartë. Pse pengohet dhe çfarë problemi ka Shqipëria dhe Kryeministri të jetë shumë i qartë?

Ja se ç’thotë Kancelarja Merkel shumë qartë për Shqipërinë dhe Kosovën në takimin që ajo kishte me kryeministrin e Bosnjes: “Çështja e parë është pasqyrimi territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një çështje e shenjtë dhe këtu duhet të përsërisim gjithëherët, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë. Nga kjo varet ardhmëria evropiane e gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Po si mundet që Kancelarja Merkel është e kristaltë, ministri Rot gjithashtu. Shqipëria që është më e interesuara hesht. Ka zakon që Kryeministri jep konsiderata për BE-në,për të ardhmen e BE-së, idenë që nuk drejtohet mirë BE-ja. I ka të qarta të gjitha, por këtij problemit që kemi këtu, pse i mungon kësaj? Por kjo mungesë koherence nuk është e rastësishme, kushdo e kupton që është tërësisht e qartë, e qëllimshme në funksion të një strategjie të dhomave të errëta që mblidhen dhe ku duart gjithmonë mbahen poshtë tavolinës, e cila imponon edhe një axhendë integrimi që nuk ecën përpara, sepse sigurisht të tymra ato momente të rëndësishme, qoftë momenti i madh në stabilitetin e administratës publike, i kërkuar si një kusht i jashtëzakonshëm për ecjen e negociatave, tashmë është një rrënim i plotë.

LEXO EDHE:  "Veting koncensioneve", thirrja e Vasilit: Koncensionet kanë zënë për fyti ekonominë shqiptare. Prokuroria mos të fshihet...

Ju e kuptoni që administrata publike është një han pa porta, patenta e të cilës është një përkatësi politike me mazhorancën, me një tester partie kryen punë, deri në rrënim me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, që do të thotë që ky ligj për të cilin Evropa shpenzoi miliona, që një nga kushtet e jashtëzakonshme për të pasur statusin kandidat, u rrënua në tokë.

Sigurisht ky komoditet vjen në shkelje të të gjitha këtyre ligjeve se drejtësia është e kapur e nuk funksionon, ky është një fakt evident. Po të kishim një drejtësi ndryshe ne nuk do të paguanim 140 milion euro vetëm për të zhdëmtuar të larguarit nga puna, që është një shifër e tmerrshme për një vend të varfër si i yni. Sigurisht që nuk do ta shkelte Kushtetutën njeri siç bëri mazhoranca në rastin e uljes së dividentit duke i dhënë fuqi prapavepruese, një shkelje për të cilën sigurisht nuk flitet. Gjithmonë për gjërat e mëdha që kanë një gjë të errët brenda ka heshtje ndërkohë që janë llafazanë të mëdhenj për gjëra të tjera. Një nga pikat më të mëdha ka qenë mbrojtja për të drejtat e njeriut, por ç’të drejtë njeriu mund të ketë ku atje në Unazë të Re zotërues të banesave dalin e kthehen në qiraxhinj dhe të gjitha rregullat e shtetit, ligjet e përcaktuara që u garantonin të drejta prej 20 vjetësh, të cilat të tëra nëpërkëmben? Po ç’mund të thuhet pastaj për krimin e organizuar kur dhe në aksionet më të fundit kapen të gjithë njerëzit, por rastësisht kapo-banda i ikën nga duart policisë? Kur ka gjithë këtë korrupsion tek Unaza e Re, personat që duhen të kapen del një recepsionist, por dhe ai ikën. Nuk kapet, se zë dot policia, ama babanë e nënën të një fëmije 8 vjeçar atje që mbrojnë banesën e tyre ia arrestojnë që ç’ke me atë pune dhe i lënë fëmijën rrugëve.

Sigurisht, të gjitha këto çështje të mëdha, të cilat kanë vënë në diskutim të gjithë integritetin shtetëror të Shqipërisë. Kanë vënë integritetin në raportin tonë me Evropën, e bashkë me këtë dhe një të ardhme të Evropës, e cila është më e paqartë se kurrë ndonjëherë dhe pesimizmi për hapjen e negociatave nuk është qasje politike pozitare dhe opozitare, është një qasje objektive. Se përgjerisa objektivave u mungon, je mbrapa, nuk i realizon, nuk ke dëshirë dhe nuk i çon përpara, një integrim që të dhurohet na është e bërë e qartë nuk ka, nuk do të ketë, dhe nuk kemi pse ta kemi një integrim të dhuruar sepse integrimi i merituar është vetëm ajo, e cila bën të shkojmë përpara. Por në fund të ditës, pika ku të gjitha bashkohen janë vetëm dy elemente. Elementi i Pazar-politikës në njërën anë dhe elementi i një drejtësie që nuk funksionon sepse është kapur për fyti, që nuk i jep do t përgjigje as krimit të organizuar, që nuk i jep do t përgjigje as korrupsionit, që nuk u jep dot përgjigje as shkatërrimit të të gjithë sistemit të punësimit në Shqipëri, i cili nuk i jep dot asnjë përgjigje dhe pastrimi të parasë së pisët, por përkundrazi e thellon atë. Dhe ky binom Pazar-politik, drejtësi e kapur sigurisht bënë të mundur që të gjallojë ky realitet edhe pesimist që i bënë mijëra shqiptarë të largoheshin, qofshin ata mjaft të varfër, por dhe ata që janë në gjendje të mirë ekonomike për shkak të një klime mbytëse ku padrejtësia mbizotëron.

Sigurisht, reagimi i madh popullor është një përgjigje për ta ndërruar, për të pasur një Shqipëri ndryshe, jo thjesht dhe vetëm për të ndryshuar emrat e qeverisjes. Dimensioni i Shqipërisë që qeveriset sipas shtetit të së drejtës kalon e tejkalon shumë emra të përvetshëm Emra të përvetshëm, të cilat janë misionarë të shtetit të së drejtës, janë ata që meritojnë të drejtojnë.

Gjithë këta që i kanë shkuar kundër këtij misioni dhe kanë punuar fort ta rrënojnë, sigurisht nuk meritojnë më të drejtojnë dhe kurrkush nuk mund të ketë asnjë minutë kohë për të humbur më me ta dhe kjo padrejtësi duhet të shkojë patjetër në vend. Kjo është dhe thirrja ë përbashkët që na bashkon këtu, dhe ky është shqetësimi i madh pavarësisht nga shkujdesja, nga vetëkënaqja e jashtëzakonshme e mazhornacës si të gjithë mazhorancat që në momentin që janë në fundin e tyre janë më të vetëkënaqura se kurrë.