Punëtorët e ARMO-s janë nisur sot në një protestë drejt Tiranës, për shkak të mosmarjes së pagave.

Shoqeria Ionian Refining & Trading Company – IRTC SHA që ka marrë në shfrytëzinë rafinerinë e naftës ARMO, në një deklaratë për shtyp ka pohuar se aryseja kryesore e ndërprerjes së aktivitetit është mos furnizimi me naftë bruto nga Bankers Petroleum. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bankers, që ka pohuar se arsyeja e vetme e mosfurnizimit lidhet me faktin se IRTC ka dështuar të paguajë

IRTC ka akuzuar direkt prodhuesin e naftës Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse Patos Marinëz, se nuk po e furnizon me naftë. “Gjate vitit 2017 Rafineria e Ballshit është fikur 10 here për shkak te mos furnizimit me nafte bruto. Furnizuesi ynë kryesorë, njëherësh dhe furnizuesi i vetëm në treg me naftë bruto nuk na e ka bërë këtë gjë të mundur. Ai preferon të eksportojë naftën ne tregun e huaj  sesa të furnizojë rafinerite vendase. Kjo është arsyeja e vetme pse shoqëria IRTC nuk arrin të operojë Rafinerinë e Ballshit dhe rrjedhimisht të përmbushë detyrimet e saj me punonjësit dhe nënkontraktorët e saj. Shoqëria do të ndjekë të gjitha hapat ligjore për të garantuar të drejtën e saj dhe dëmshpërblimin që i takon për situatën në të cilën ndodhet ajo dhe punonjësit”, tha kompania në një njoftim për shtyp.

Kjo situatë e vështirë, thotë IRTC mund të zgjidhet vetëm përmes garantimit të furnizimit të rafinerisë me nafte bruto, në mënyrë që të punojë me kapacitet maksimal.

Reagimi i Bankers

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Bankers Petroleum. Në përgjigje të deklaratës për shtyp për media nga IRTC mbi pretendimin e tyre se prodhuesi kryesor i naftës së papërpunuar nuk po furnizon me  naftë të papërpunuar dhe po preferon eksportin, Bankers deklaron se:

“IRTC ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj të pagesave financiare. Kjo është arsyeja e vetme për mosfurnizimin me naftë të papërpunuar për kompaninë që operon rafinerinë e Ballsh-it.

Bankers ka qenë shumë bashkëpunues dhe mirëkuptues gjatë gjithë vitit 2017 për të mbajtur në punë këtë rafineri, por IRTC ka dështuar të garantojë kushtet e pagesës të dakordësuara midis palëve. IRTC po përpiqet të bëjë përgjegjës Bankers por përgjegjësia është tërësisht e operatorit të rafinerisë e cila nëse vazhdon mund të çojë në mbylljen e rafinerisë së Ballsh-it.

Bankers ka vënë në dijeni shumë herë për këtë situatë menaxhimin e IRTC, por ata jo vetëm që refuzuan të garantojnë planin e tërheqjes së naftës për Nëntor-Dhjetor 2017, por gjithashtu e detyruan Bankers-in të shesë naftën në kushte të paplanifikuara në tregje rastësore të cilat kanë risqe operacionale dhe çmime më të ulëta . Si pasojë e kësaj situate Bankers ka rritur gjithashtu edhe furnizimin me naftë të papërpunuar për Albpetrol.

IRTC ka dështuar t’u përgjigjet disa kërkesave të njëpasnjëshme dhe të përsëritura të Bankers për të siguruar volumet për vitin 2018. Operatori i rafinerisë Ballsh nuk ka arritur të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësinë për të garantuar përgjegjësinë financiare dhe për të pranuar një çmim edhe më të favorshëm se çmimi ndërkombëtar.

LEXO EDHE:  Përplaset furgoni me punëtorë, një i vdekur dhe disa të plagosur (EMRI)

Bankers si prodhuesi kryesor i naftës së papërpunuar në Shqipëri nuk ka përgjegjësi vetëm të zhvillojë operacionet në fushën e naftës, por edhe detyrimin për të maksimizuar të ardhurat e naftës së saj në dobi të aksionerëve të saj dhe Shtetit Shqiptar si palë kryesore të interest. Bankers mbetet bashkëpunues për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë”, përfundon njoftimi i Bankers.

ITRC nuk paguan as 60 milionë euro detyrime ndaj shtetit

Prej dy javësh ARMO, rafineria e përpunimit të naftës në vend, ka mbyllur dyert për të disatën herë, duke lënë miliona euro detyrime të papaguara ndaj shtetit, një skemë e njohur kjo, që po përsëritet që prej vitit 2009, kur ARMO u privatizua.

Sipas të dhënave të siguruara nga ‘Monitor’, për 11 muajt e këtij viti, sasia e naftës e përpunuar nga ARMO dhe e hedhur në treg ka qenë 156 mijë tonë (184 milionë litra, në bazë të dendësisë 1 ton = 1,180 litra), me një rritje të ndjeshme në krahasim me sasinë prej 11 mijë tonësh të përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e ndjeshme e prodhimit, ka bërë që ARMO të zërë 30% të tregut të furnizimit me karburant në vend për periudhën janar-nëntor (për të njëjtën periudhë importet ishin 357 mijë tonë, me një rënie prej 23% me bazë vjetore).

Për këtë sasi nafte të prodhuar, ARMO ka paguar akcizë në vlerën e 6.8 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare (shiko tabelën). Kompania është e detyruar të paguajë akcizën në momentin që hedh produktin për konsum, përndryshe nuk mund ta nxjerrë atë nga magazina doganore. Sipas legjislacionit në fuqi, momenti i pagesës së detyrimit të akcizës është hedhja për konsum e produktit. Shoqërimi i të gjitha procedurave të deklarimit bëhet nëpërmjet Dokumentit Shoqërues Administrativ, DSHA. Të gjithë subjektet që përpunojnë produkte me akcizë detyrimisht pajisen me statusin e Depozituesit të Miratuar (Magazine Fiskale) nga administrata doganore (pra kur del nga prodhimi drejt magazinës fiskale, paguhet automatikisht akciza). Çdo subjekt duhet të garantojë detyrimet e akcizës me lëvizje prodhim depozitim. Deklarimi dhe pagesa online bëhet nëpërmjet modulit kompjuterik të instaluar pranë Operatorëve.

Pasi del nga magazina fiskale dhe hidhet në treg duhen paguar taksat e tjera, TVSH, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, ARMO rezulton të ketë paguar vetëm akcizën dhe jo taksat e tjera, përfshirë TVSH-në që është 20%, ose rreth 13 lekë për litër, taksë qarkullimi fikse prej 27 lekësh për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër. Në total, për 184 milionë litrat e hedhura në treg, ARMO nuk rezulton të ketë paguar të paktën 43 lekë për litër taksa, ose 7.9 miliardë lekë detyrime (rreth 60 milionë euro). Pra nga të paktën 110 milionë euro taksa që ARMO duhet të derdhte në shtet, ka paguar më pak se gjysmën./monitor

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook