Një ish-infermier gjerman ka pranuar se ka vrarë 100 pacientë, duke u shndërruar në një nga vrasësit më të mëdhenj serial të periudhës së pasluftës në Gjermani. Hetuesit deklaruan se Niels Högel, 41 vjeç u ka dhënë doza fatale të ilaçeve personave për të cilët ka pasur detyrë të përkujdeset në dy spitale në veri të Gjermanisë.

Högel aktualisht është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjashtë persona të vdekur, që kanë qenë nën përkujdesje të tij. Ai ka thënë tani se ka vrarë 36 pacientë në Oldenburg dhe 64 të tjerë në spitalin në Delmenhorst në periudhën 1999-2005.

Gjykimi aktual, i cili ka nisur me një minutë heshtje për viktimat, pritet të zgjasë deri në muajin maj. Seancat kanë nisur pas kryerjes së testeve toksikologjike për vite të tëra në 130 mostra.