Ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani ka shkruar një status në rrjetet sociale se përse nuk mund të dorëhiqen ministrat nga postet në këtë moment. Ai ka theksuar nenin 106 të Kushtetutës i cili tregon arsyet se përse ministrat nuk mund të japin as dorëheqje nga qeveria e jo më të largohen nga vetë qeveria.

Statusi i Ylli Manjanit :

Pse nuk mund të ikin ministrat.
——
Debati publik mbi qëndrimin ose jo në qeveri të ministrave të PD dhe LSI, bëhet shpesh në injorim total të Kushtetutës së Republikës.
Inati, mllefi apo edhe ndjenja e hakmarrjes politike është shumë më e fortë se arësyeja kushtetuese e funksionimit të shtetit.
Qeveria e dizenjuar në Kushtetutë si një institucion që funksionon pandërprerje. Ajo mblidhet rregullisht për të diskutuar dhe vendosur ( shih nenet nga 96- 100 të kushtetutës), ashtu sikurse Kryeministri dhe ministrat vijojnë rregullisht pa ndërprerje detyrat e tyre.
Qëndrimi në detyrë për Kryeministrin dhe ministrat është detyrë! Shiheni cfarë shkruhet në nenin 106 të Kushtetutës:
“Neni 106
Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës.”
Pra qëllimi është të mos lihet vendi pa qeveri asnjë minut!
Formulat apo lëvizjet politike vijojnë punën e tyre, por vendi duhet të ketë qeveri. Askush nuk mund të braktisë detyrën kushtetuese! Kjo do të thotë se edhe nëse për arësye politke apo personale ministri jep dorëheqje, Ai/ajo është i detyruar të qëndrojë në detyrë derisa të vijë pasardhësi/sja. Kjo është detyrë kushtetuese!
Ministrat e PD dhe LSI mund të dorëhiqen për arësye politike (personalisht mendoj se duhet ta bëjnë një orë e më parë), por qëndrimi i tyre në detyrë është urdhër i Kushtetutës!
Qeveria aktuale siç e katranosi Kryeministri, ka nevojë për një kuorum minimal që të mblidhet e të funksionojë. Ministrat e PD dhe LSI janë shumica ndaj qëndrimi i tyre bëhet edhe më i detyrueshëm!
Por mos mbledhja e qeverisë dhe vendimmarrja e saj qarkulluese është kulmi i paligjshmërisë dhe i anti-kushtetushmërisë. Nuk ka askund asnje nen, paragraf apo qofte dhe një fjalë të vetme që të ligjërojë vendimmarrjen qarkulluese! Nuk ka!
Qeveria prandaj ka rregulla detyruese për qëndrimin në detyrë, pikërisht për të garantuar vendimmarrjen solide e solemne të saj!
Nëse dikush ndonjëherë do jetë i interesuar për të hetuar një shkelje të rëndë të Kushtetutë, duhet ta fillojë nga kjo qeveri që është në dhunim permanent të saj!
Ndërkohë njerëzit kontribojnë ose thjesht shohin spektaklin e kultit të individit që braktis qeverinë dhe Kushtetutën duke u shitur si shtetar! Kulmi!