Kanë përfunduar tre prej ndeshjeve të javës së 5 të Superligës shqiptare.

Kampionët në fuqi, Kukësi është rikthyer te fitorja pas humbjes në shtëpi ndaj Skënderbeut, duke mundur në transfertë Lushnjën me rezultatin e pastër 0-2.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa sapo filloi episodi i dytë i ndeshjes, lushnjarët u ndëshkuan me të kuq.

Spaho largohet nga fusha duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë dhe duke ia bërë më të lehtë fitoren kuksianëve.

Golat u shënuan nga Guri dhe Aliev, përkatësisht në minutat ’58 dhe ’60, duke vulosur përfundimisht rezultatin 0-2.

Ndërkohë që në ndeshjet e tjera Kamza ka arritur të mposhtë Luftëtarin në transfertë në limitin kohor të ndeshjes, me rezultatin e ngushtë 1-2, edhe pse me 10 lojtarë që nga minuta e 33, pasi Fustar u ndëshkua me të kuq.

Kanë qenë kamzalinjtë të cilët shënuan të parët në minutën e 16 me anë të Raçiç, duke marrë avantazhin, dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Pjesa e dytë nisi me një Luftëtar më kërkues dhe në minutën e 63 Bregu barazon shifrat. Por atëherë kur të gjithë e kishin menduar të mbyllur sfidën, gjyqtari akordon një penallti në minutën e 94, e cila u shndërrua në gol sërish nga Raçiç, duke i dhënë skuadrës së Kamzës 3 pikë të vyera.

Ndërsa në ndeshjen tjetër mes Vllaznisë dhe Flamurtarit çdo gjë u mbyll me një barazim 1-1. Fillimisht të parët kaluan vlonjatët me anë të Bushiç në minutën e 17, ndërkohë që shkodranët barazuan shifrat me një penallti të kthyer në gol nga Gocaj në minutëne 45 të pjesës së parë.

LEXO EDHE:  "Ringjallet" Partizani, fiton mininalisht me Vllazninë. Konfirmohet kriza te shkodranët

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook