Pasi shumë prej të afërmve të tij kanë vuajtur me vite nëpër burgjet e regjimit komunist të ashpër ku asokohe drejtohej nga Enver Hoxha me një dorë të hekurt ndaj krimeve por edhe gabimeve ku shumë njerëz mendoheshin dy herë përpara se të thonin diçka ose të pyesnin.

Bëhet fjalë për Hysni Kapon i cili ishte prej njerëzve më të pushtetshëm në qeveri pas vetë Enver Hoxhës por që nipërit e tij e kanë vuajtur regjimin dhe burgun pa u mbrojtur nga xhaxhai i tyre dhe njëri nga këto ka qenë edhe Vullnet Thanasi, ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit dhe më pas “diplomat” pranë Ambasadës Shqiptare në Pragë.

Ky ka qenë personi i fundit që vuajti, pasi para tij edhe plot shtatë nipa të tjerë të Hysni Kapos (djem të motrave dhe vëllezërve) ishin akuzuar për faje të ndryshme politike dhe kishin vuajtur dënime të ndryshme na kampet e burgjet e regjimit komunist.

Dënimet e nipave të Hysni Kapos kishin filluar që në vitet e para të pasluftës, me një prej tyre (djalë vëllai), që shërbente si shofer i Ramiz Alisë, kishin vazhduar me një tjetër (po djalë vëllai), që u arrestua për “tentativë arratisjeje” në zëmër të Shqipërisë (në Qytetin “Stalin”), për të kulmuar në mesin e viteve ’70 me Aladin Kapon, (djali i Sulejman Kapos, vëlla i Hysniut), oficer i Marinës Tregtare në Durrës, i cili u soll i lidhur nga oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe u zbrit nga anija “Dajti” në Portin e Durrësit, pasi ishte akuzuar më parë (së bashku me shokun e kolegun e tij, Maks Rakipi) “për agjitacion e propagandë, spiunazh dhe kontrabandë floriri”.

LEXO EDHE:  Patozi nuk i ndahet Ramës: Marrëveshja e 18 majit i shtoi ndriçimin dhe frymëzimin udhëheqësit

Dhe arrestimi i tij u bë edhe me “miratimin” e Hysni Kapos, i cili kur i dërgoi dosjen për firmë Feçorr Shehu dhe e pyeti; “Ç’do bëjmë me këtë”, Hysniu iu përgjigj: “Në burg, si gjithë të tjerët, siç janë rregullat e Partisë dhe ligjet e shtetit…”.

Tashmë këto gjëra, pra historia e dënimeve të nipave të Hysni Kapos, janë të njohura edhe nga një prononcim publik i një prej nipave të Hysni Kapos, muzikantit të njohur Vladimir Kapo, i cili i ka rrëfyer gjatë dhe me detaje ato; çka lidhet edhe me luftën për pushtet (për nr. 2 si pasardhës të Enver Hoxhës), në mes Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut, ku thuhet se Mehmeti nxiste Kadri Hazbiun dhe Feçorr Shehun, për dënimin e nipave të Hysni Kapos, gjithnjë në funksion të “implikimit dhe përlyerjes” së figurës së Kapos. Por, gjithashtu, thuhet se kjo gjë, pra dënimi i nipave të Hysni Kapos, nuk mund të ndodhte kurrë pa pëlqimin e miratimin e Enver Hoxhës.

/Panorama/