Katastrofat natyrore dhe shkatërrimet e shkaktuara nga njeriu kanë sjellë vdekjen apo zhdukjen e më shumë se 5 000 personave dhe kanë shkaktuar humbje ekonomike prej 44 miliardë dollarësh (39,7 miliardë euro) në botë në gjashtë mujorin e parë, sipas një studimi paraprak të kompanisë zvicerane të sigurimeve “Swiss Re”.

“Shumica e këtyre humbjeve janë shkaktuar për shkak të stuhive dhe përmbytjeve që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të globit”, theksoi kompania në një raport.

Më shumë se 5 000 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë katastrofave të ndodhura në gjashtë muajt e parë të vitit 2019.

“Cikloni Idai, që ka shkaktuar erëra të forta dhe përmbytje të mëdha në Mozambik, në Malavi, Zimbabve dhe Madagaskar, ka qenë katastrofa natyrore më e rëndë e kësaj periudhe me më shumë se 1 000 viktima”, nënvizoi “Swiss Re”.

Kompania e sigurimit njoftoi për rreth 3 900 të vdekur apo të zhdukur për gjashtëmujorin e parë të 2018 dhe më shumë se 13 500 persona për gjithë vitin 2018, numri më i ulët i regjistruar nga “Swiss Re”, që i bën këto vlerësime që prej më shumë se 50 vitesh.

Rreth 44 miliardë dollarë humbje ekonomike janë regjistruar gjashtëmujorin e parë të 2019 shumë më pak se niveli i kostove mesatare të regjistruara në këtë periudhë gjatë 10 viteve të fundit, rreth 109 milionë dollarë.

Kjo shifër është gjithashtu më e ulët në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, ku u regjistruan 51 miliardë dollarë humbje.

Kompanitë e sigurimeve kanë mbuluar 19 miliardë dollarë humbje duke marrë parasysh që vetëm 42% e shumave totale të hubjeve ishin të siguruara.