Sherri mes presidentit të Laçit, Pashk Las ka, dhe atij të Tiranës, Refik Halili, ka qenë më së shumti një vijim i tensionit që u krijua të shtunën e kaluar në ndeshjen e kampionatit. Aty, Refik Halili pati kritikuar ashpër sjelljen e miqve, duke thënë për “Panorama Sport” se po të kishte qenë një president tjetër, me kaq shumë sa i bien më qafë klubit të tij dhe se sa shumë i provokojnë bardheblutë edhe në shtëpinë e tyre, atëherë mund të kishte edhe viktima.

Por Halili pati nënvizuar se Tirana nuk është klub i sherreve dhe se historinë e saj e ka bërë në fushën e lojës e jo duke krijuar tensione jashtë saj.

SHERRI NË LAÇ Refik Halili nuk e la në baltë skuadrën e tij në ndeshjen delikate të Kupës në Laç. Ai vendosi të udhëtonte bashkë me ekipin, si për t’u thënë: “Jam këtu me ju. Luani pa frikë…!”. Halili mësohet se ka qenë i shoqëruar nga disa persona, njerëz shumë të afërt të tij, madje edhe me lidhje gjaku. Gjatë ndeshjes ka pasur sharje dhe ofendime në adresë të zyrtarëve të Tiranës dhe të Halilit në veçanti, por presidenti i bardhebluve është përpjekur të mos bjerë pre e provokimeve. Ai hera-herës ka qetësuar edhe shoqëruesit e tij, duke u kërkuar të mos reagonin në asnjë moment. Ndërkaq, mësohet se presidenti i Laçit, Pashk Laska, pas ndeshjes dhe jashtë rrethimit të stadiumit i është drejtuar disa herë Halilit pak a shumë me këto fjalë: “Ke ardhur me të fortë? Pse ça mendon ti, se ke ardhur me të fortë dhe do bësh numra këtu…”. Ky ka qenë fillimi i debatit dhe megjithëse ka pasur tentativë për përplasje që në stadium, kjo është shmangur nga të pranishmit aty.