Kryeministri Rama refuzoi t’u përgjigjej kërkesave të studentëve, por ai ka dalë në publik, në emisionin “Top Show”. Rama pohon se 8 kërkesat e studentëve janë të arsyeshme dhe shtoi se secila prej tyre duhet të diskutohet.

Rama gjithashtu thotë se protesta nxori në pah 4 komponentë, mes tyre ato të partive politike, PD-LSI. Mes të tjerash ai tha se qeveria nuk është magazinë ‘që pret nga dyqani të çojnë pakon’.

“Sigurisht që janë të gjitha të arsyeshme. Por meritojnë një diskutim pikë për pikë sepse çështja nuk është merr e lëri, çështja është si zbatohet secila prej tyre. Sa kohë duhet për secilën prej tyre. Dua të falënderoj studentët që janë këtu dhe me siguri kanë pasur dilema të mëdha që të vijnë apo jo. Tani pas pjesës së dytë të ditës doli në pah se protesta ka 4 komponentë. Protesta ka 3 komponentë të strukturuar dhe me një axhendë që është e tyre dhe ka një komponentë që ka krijuar mase, që janë studentët që kanë hallin e tyre dhe hallin e shkollës. Dy komponentë janë ata që dihen, PD dhe LSI. Opozita që ka premtuar prej kohësh një revolucion që do ta çojë deri në rrëzimin e qeverisë me dhunë. Komponenti tjetër është Lëvizja për Universitetin që s’kanë asnjë lidhje me vizionin tonë. Janë një grupim marksistësh që nuk njohin Marksin. Siç sot filloi të shfaqet, do shfaqet në vijim. Studentët e tjetër i kanë këto probleme, por nëse…Të gjithë e kemi parë që kanë një tmerr që të asociohen me politikën. Kanë për një mijë e një arsye që mos të jenë pjesë e politikës. Është rast i pandodhur, që opozita maskohet, zhduket nga skena, dhe futet në turmë për të imponuar gjënë e vet. Qeveria nuk është magazinë, që pret nga dyqani të çojnë pakon”, tha Rama.