Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin që zhvilloi me Ambasadorin e SHBA Donald Lu, vë në pah sjelljen antikushtetuese të kryeministrit.

Në selinë e LSI-së ajo nënvizon dhunën e shkaktuar ndaj opozitës dhe qytetarëve jashtë saj, ku shkelet e drejta e lirisë.

Sipas Kryemadhit ngritja menjëherë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë rruga e vetme për ti shkuar deri në fund luftës kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit galopant.

Ja si shprehet Kryetarja e LSI-së:

“Gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i parlamentit Ruci, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në parlament.

Parlamenti nuk është më një institucion demokratik por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfide ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”.

Ajo shprehu vullnetin e LSI-së për të futur vendin në rrugën e kushtetuetshmërisë, pasi aktualisht gjithçka ka dalë nga shinat e kushtetutës. “Ky kaos kushtetues ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te shteti i së drejtës, gjë që është shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin dhe pse të rinjtë kanë humbur shpresën”, tha ajo.

LEXO EDHE:  "Tahiri nuk do t'i shpëtojë drejtësisë", flet Lulzim Basha pas takimit me Lu dhe Vlahutin

“Vullneti i LSI-së për të zbatuar një reformë në drejtësi vetëm në respekt të plotë të kushtetutës dhe të ligjit është një vullnet i pa ndryshuar dhe votat e LSI-së në parlament do jenë në shërbim të kësaj sfide. Ngritja menjëherë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë rruga e vetme për ti shkuar deri në fund luftës kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit galopant”, u shpreh Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Ajo i kërkoi njëkohësisht Ambasadorit Lu një vlerësim objektiv të ngjarjeve më të fundit për të evidentuar qartë se shkaktarët e dhunës brenda dhe jashtë parlamentit ishte mazhoranca e drejtuar nga Kryeministri dhe dëshira e tyre e shfrenuar për ti mbyllur gojën çdo zëri opozitar dhe qytetar që demaskon dhe denoncon situatën e rëndë ku ndodhet vendi dhe sundimit të ligjit.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook