Policia e Lezhës ka arrestuar ditën e sotme shtetasin Arben Gjikolaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për shfrytëzim prostitucioni.

Burime policore bëjnë me dije se 36-vjeçari u vu në pranga në fshatin Manat të Lezhës, dhe do të ekstradohet drejt Italisë ku do të përballet me akuzën e veprës penale “Shfrytëzim prostitucioni”.

Gjikolaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në datën 16 qershor të këtij viti, e cila ka lëshuar dhe një urdhër arrest për 36-vjeçarin.

Njoftimi i Policisë

“Ditën e sotme, nga Sektori për hetimin e krimit të organizuar ne Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja në fshatin Manati në Lezhë, të Gjikolajt, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me datë 16 qershor të këtij viti nga Interpol Roma, pasi të, Gjykata e Torinos, me datë 22.06.2016 ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzimit të prostitucionit” parashikuar nga legjislacioni italian.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.”