Temperatura e ulët trupore është po aq e rrezikshme sa edhe rritja e saj. Kjo gjendje, e cila në gjuhën mjekësore njihet si “Hipotermia”, nëse nuk trajtohet në kohën e duhur përbën një rrezik madhor për shëndetin, i cili mund të shkojë deri në pasoja f*tale për jetën.

Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”rastet në të cilat rënia e temperaturës përbën një emergjencë mjekësore. Sipas saj, janë një sërë kushtesh që ndikojnë në uljen e temperaturës nën vlerat e lejuara. Dimri është edhe stina në të cilën shtohet rre.ziku për shfaqjen e kësaj patologjie.

Në vijim të shkrimit mjekja Xhelili tregon faktorët që ndikojnë në uljen e temperaturës trupore, simptomat kur duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e specializuar mjekësore, si dhe këshillat se si duhet trajtuar.

Çfarë është hipotermia?
Hipotermia përcaktohet si një temperaturë e brendshme trupore më e ulët se 35 gradë C (ose 95 F). Kjo gjendje ndodh kur humbja e nxehtësisë së trupit është më e madhe se prodhimi i nxehtësisë. Hipotermia ngadalëson të gjitha funksionet fiziologjike të njeriut duke përfshirë sistemin kardiovaskular (zemra dhe enët e gjakut), sistemin respirator (sistemi i frymëmarrjes), sistemin nervor, si edhe metabolizmin. Hipotermia është një emergjencë mjekësore që, kur trajtohet shpejt dhe në mënyrë adekuate pacientët mund të rikuperohen plotësisht, ose të paktën me sa më pak pasoja.

Si duhet të matet temperatura për ta vlerësuar sa më saktë?Që matja e temperaturës së trupit të jetë sa më reale, ajo duhet të matet në një pjesë të brendshme të tij. Më e përshtatshme është zona rektale (anusi), por edhe zona poshtë gjuhës (sublinguale).

Kjo është një matje që kryhet me lehtësi nëpërmjet një termometri elektronik, ose edhe të zakonshëm. Temperaturat e marra me metoda të tjera mund të mos e matin në mënyrë adekuate temperaturën bazë.

Cilat janë faktorët më të shpeshtë të rrezikut për hipotermi?
Faktori më i lartë i rrezikut për hipotermi është humbja e nxehtësisë së trupit për shkak të ekspozimit ndaj motit të ftohtë, ose zhytjes së plotë, apo të pjesshme në ujë të ftohtë.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe mosha. Në përgjithësi moshat e vjetra janë më të rriskuara për shkak të vështirësive që ka organizmi për të rregulluar në mënyrë efikase temperaturën e trupit.

Po ashtu, të sapolindurit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël kanë më shumë gjasa të zhvillojnë hipotermi, sepse ato kanë një sipërfaqe më të madhe trupore në raport me peshën trupore dhe në këtë mënyrë e eliminojnë më shpejt nxehtësinë se sa fëmijët më të rritur dhe të rriturit.

Po sëmundjet a ndikojnë në uljen e temperaturës trupore nën vlerat normale?
Janë disa sëmundje, ose kushte mjekësore që mund të ulin aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën e tij të brendshme. Ndër to mund të përmendim: diabetin, dëmtimet e palcës kurrizore, djegiet në sipërfaqe të mëdha të trupit, hypotiroidizmi (funksioni i ulur i gjëndrës tiroide), sëmundja e Parkinsonit, mosushqyerja, çrregullimet e qarkullimit të gjakut abuzimi me alkoolin ose drogat.

Cilat pjesë të trupit rrezikojnë më tepër nga hipotermia?
Pjesët e trupit që lëndohen më shumë nga hipotermia janë pjesët që ekspozohen më tepër, siç janë duart, këmbët, hunda, veshët. Këto pjesë zakonisht ftohen më shpejt se pjesa e brendshme e organizmit. Ndër organet e brendshme, zemra është më e ndjeshme ndaj hipotermisë.

LEXO EDHE:  Shkencëtarët: Ja ç'ndodh me trurin dhe trupin tuaj, kur jeni të pushtetshëm

Cilat janë shenjat kryesore të hipotermisë?
Shenjat dhe simptomat klinike ndryshojnë varësisht nga sa e rëndë paraqitet hipotermia. Simptomat e hipotermisë së lehtë (pra kur temperatura luhatet midis 32 dhe 35 gradë C) janë: lodhja, të dridhura, shpeshtim i frymëmarrjes, ndjenja e urisë, të përziera, konfuzion i butë mendor.

Në rastin e hipotermisë së rëndë temperatura paraqitet nën 28 gradë C dhe të gjitha simptomat e mësipërme shumëfishohen me përjashtim të të dridhurave që ndalojnë. Situata mund të avancojë gjithashtu deri në gjendje kome dhe vdekje. Prandaj është shumë e rëndësishme trajtimi sa më i hershëm i kësaj gjendjeje.

A mund të përjetojë një person hipotermi në ambiente të mbyllura?
Po, hipotermia tek një person mund të shfaqet edhe në ambiente të mbyllura, pra jo vetëm kur ekspozohet ndaj kushteve të ftohta, por me dallimin se simptomat mund të zhvillohen ngadalë, ose nuk janë aq të dukshme për familjarët, apo personelin shëndetësor.

Në këtë rast merr vlerë të veçantë matja e temperaturës së brendshme të trupit. Në këtë rast janë më të rrezikuar individët e moshuar që jetojnë në shtëpi të ftohta dhe pa ngrohje të vazhdueshme.

Si diagnostikohet?
Siç u theksua më sipër, hipotermia diagnostikohet se pari nga historia e pacientit (anamneza), por veçanërisht e rëndësishme është matja e temperaturës së pacientit. Çdo temperaturë nën 35 grade celsius për të rriturit dhe nën 36.4 grade celsius për foshnjat konsiderohet hipotermi.

Në rastet e avancuara pacientët zhvillojnë bradikardi (ngadalësim të rrahjeve të zemrës), gjë e cila përbën urgjencë mjekësore. Ekzaminimi me EKG (elektrokardiogramë) tregon çrregullime të zemrës.

Si trajtohet problemi i hipotermisë?
Për rastet e rënda, trajtimi duhet të fillojë menjëherë, në mënyrë të veçantë për pacientët që paraqesin çrregullime kardiake (probleme të zemrës). Pacienti duhet vendosur sa më shpejt në një dhome të ngrohtë dhe t’i hiqen rrobat e lagura (kur janë zhytur për shembull në ujë të ftohtë) dhe të mbulohet me tesha të ngrohta.

Ngrohja e jashtme duhet të fillojë gjatë transportit, pra para mbërritjes në spital me shishe me ujë të ngrohtë të cilat vendosen poshtë sqetullave, në bark dhe në rrëzë të kofshëve.

Temperatura e ujit në shishe nuk duhet të kalojë 41 gradë për të mos shkaktuar djegie të lëkurës. Nuk duhet të përpiqemi t’i ngrohim gjymtyrët duke i fërkuar ato, pasi nuk është e mundur.

Pacientët me hipotermi të butë deri të moderuar dhe pa asnjë lëndim tjetër shëndetësor në përgjithësi nuk kanë nevojë për trajtim spitalor. Mjafton vetëm ngrohja e jashtme që përmendëm dhe dhënia e lëngjeve të ngrohta.

Po në rastet e hipotermive të rënda si duhet të veprojmë?
Ndërsa hipotermitë e rënda me probleme të zemrës, sistemit nervor dhe sistemit të frymëmarrjes përbëjnë urgjencë mjekësore. Hapi i parë që duhet të bëjmë tek personat që paraqesin hipotermi është kontrolli i pulsit dhe i ritmit të frymëmarrjes.

Si mjeti më i mirë për të shmangur zhvillimin e hipotermisë është thjesht shmangia e qëndrimeve të gjata në ambiente të ftohta, ose zhytjet në ujë të ftohë, sidomos në periudhën e dimrit. Veshjet për periudhën e ftohtë rekomandohen të jenë të mjaftueshme, por edhe të lehta. Në rastet e rënda është mjeku specialist është ai që vendos për trajtimet e tjera të mëtejshme që duhet të ndjekë pacienti.